26 Dhjetor 2024

Erden Atiq betohet si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut

Mitrovicë, 19 maj - Në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe, të premten bëri betimin kryetari i ri, Erden Atiq, i cili fitoi këtë mandat nga procesi zgjedhor i 23 prillit të këtij viti për zgjedhjen e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ceremonia e betimit të zotit Atiq u zhvillua pa ndonjë pengesë, ndonëse Bashkimi Evropian kishte tërhequr vërejtjten para disa ditësh për mundësinë e tensionimit të situatës në veri në rast se autoritetet e Kosovës provojnë të vënë në zbatim rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Zoti Atiq u tha gazetarëve menjëherë pas marrjes së detyrës se do t’u shërbejë të gjithë banorëve të kësaj komune pa asnjë dallim.

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha ai.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd reaguan të premtën ashpër pas betimit të kryetarit të ri të komunës së Miitrovicës së Veriut.

Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës e që mbështetet nga Beogradi, tha në një konferencë për media të premten se me betimin e kryetarit të ri ka filluar zyrtarisht siç tha pushtimi i veriut.

“Populli nuk mund ta tolerojë regjimin e Albin Kurtit që po zgjatë me muaj. Për këtë arsye ne i japim afat Albin Kurtit deri më një qershor për të ndalur represionin e popullit serb në Kosovë, të ndalojë sekuestrimin e tokave serbe dhe shpronësimet e rreme, të ndalojë me arrestimin dhe aktakuzat e rreme. Të ndalet persekutimi, sepse në të gjitha kazamatet e Kosovës ka serbë të pafajshëm. Të ndalojmë mohimin e të drejtave elementare siç është trajtimi dhe arsimimi. Nëse këto veprime vazhdojnë, më një qershor do të vijë përgjigja vendimtare e popullit serb, e drejta e serbëve për të qëndruar dhe këmbëngulur në tokat e tyre, ne do të mbrohemi me të gjitha mjetet", tha ai.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha sot në një konferencë për media në Beograd, se me me veprime të tilla “Prishtina dëshiron ta dëboj popullin serb nga Kosova dhe në mënyrë të hapur të provokojnë luftë”.

Zgjedhjet në Mitrovicë te Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm serb, në fund të vitit të kaluar mes mospajtimeve mbi një vendim të qeverisë në Prishtinë për konvertim të targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se betimi i kryetarëve të tre komunave të tjera të banuara me shumicë serbe do të ndodhë në ditët në vijim brenda afateve të përcaktuara ligjore.

“Kemi dy situata, i kemi dy kuvende komunale të njëjta si ky në Mitrovicë të veriut ku ka kuvende do të organizohen vetëm seanca për dhënien e betimit të kryetarëve. Ndërsa në ato vende ku nuk është konstituuar kuvendi, ligji parasheh 15 ditë që seancën ta thërret kryetari i zgjedhur”, tha ai.

Diplomatët perëndimor kanë ngritur shqetësimet për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas fillimit të zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Vendet e Quint-it, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, nëpërmjet një deklaratë të përbashkët, thanë se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb të zgjedhjeve të 23 prillit, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna.

Në deklaratë u bëhet thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të punojnë së bashku “drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)