25 Mars 2023

BE-ja do vazhdojë ta mbështes Kosovën deri në arritjen e qëllimit të përbashkët

Prishtinë, 4 nëntor - Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e dy deputetëve bashkëkryesues, Mimoza Kusari Lila nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Romeo Franz, nga Parlamenti Evropian, filloi punimet Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.

Në fjalën e saj hyrëse, deputetja Kusari Lila, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm punën e këtij komisioni, theksoi se në këtë takim do të zhvillohen diskutime të frytshme sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve Kosovë-BE.

Ajo shtoi se meqë MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, shteti i Kosovës ndanë po ashtu vlera të njejta demokratike me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, siç është shteti i së drejtës, transparenca, respektimi i të drejtave të njeriut, mediat e lira, ndonëse qytetarët e Kosovës ende privohen nga e drejta për lëvizje të lirë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës sfidohet sa herë që kërkohet pjesëmarrja e deputetëve të komunitetit serb në seanca plenare. Bojkotimi i punimeve nga ana e përfaqësuesve të komunitetit serb, i cili ndodhë në vazhdimësi, është i qëllimshëm dhe si i tillë ka ndikuar që nga ky Kuvend të mos procedohen shumica e projektligjeve ku kërkohet edhe pjesëmarrja në votim prej anës së tyre”, theksoi kryesuesja Kusari Lila.

Deputeti i Parlamentit Evropian, Romeo Franc, para parlametarëve i bëri të qarta qëndrimet e institucionit që ai përfaqëson në aspektin e integrimit të Kosovës në BE.

Gjatë fjalimit të tij, ai u fokusua tek arrijet Kosovës dhe detyrat e përmbushura deri tani, të cilat kërkohen nga BE-ja. Sipas Franc, Kosova tashmë është gati edhe për liberalizimin e vizave.

“Situata me vizat duhet të trajtohet si urgjencë dhe unë besoj që në të ardhmen e afërt qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm, ashtu siç e meritojnë”, theksoi ai.   

Për më tepër Franc u shpreh së qëndrimet e Kosovës në situatën Rusi-Ukrainë janë shumë të qarta dhe pro qëndrimeve euro-atlantike.

Eurodeputeti Franc siguroi se BE-ja do vazhdojë ta mbështes Kosovën deri në arritjen e qëllimit të përbashkët, anëtarësimin në këtë organizatë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, duke uruar deputetët e të dy komisioneve për punën e bërë tash e disa vite, potencoi se bazuar edhe në rekomandimet e dala nga puna intensive e të dy komisioneve, Kosova ka arritur të shënojë progres të madh në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Për  rrjedhojë, sipas kryetarit Konjufca, edhe dizajnimi i politikave të shtetit tonë është bërë në frymë të plotë me rekomandimet nga punimet e këtij komisioni, por po ashtu edhe nga rekomandimet e Komisionit Evropian për Kosovën.

“Republika e Kosovës dhe Kuvendi në veçanti, me punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre kanë dëshmuar në përafrimin dhe bashkërendimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian”, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit rikujtoi qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës, ndërsa po ashtu tërhoqi vëmendjen për politikat destabilizuese të Serbisë në rajon, veçanërisht në raport me Kosovën, ndër të tjera duke grumbulluar edhe trupa ushtarake pranë kufijve të saj.

Më pas, në emër të qeverisë fjalën e mori ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasnqi. Gjatë adresimit të tij, ministri Krasniqi u fokusua dhe numëroi pikat që Kosova ka plotësuar, ashtu siç edhe ka kërkuar BE ndër vite.

“Kosova, ashtu sikurse shtetet e tjera fqinje, ka përmbushur të gjitha kushtet e BE-së. Vendi ynë ka qëndruar shumë gjatë jashtë agjendës së Bashkimit Evropian. Përkundër që kemi popullsinë më moshën më të re dhe pro BE-së, Kosova tashmë 10 vite mbetet vend i izoluar, pa të drejtë dhë në mënyrë diskriminuese”, tha ministri Krasniqi.

Shefi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, fjalimin e tij drejtuar deputetëve të këtij komisioni e filloi duke theksuar se Evropa nuk është e kompletuar pa Kosovën.

Duke u thirrur te të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian, Szunyog ritheksoi edhe një herë domosdoshmërinë e implementimit të të gjitha rekomandimeve që janë nxjerrë nga KE.

Takimit i kontribuuan edhe pjesëmarrësit e tjerë. Gjatë diskutimeve, në cilësinë e zëvendëskryetares së Komisionit për Integrim Evropian, Arbëreshë Kryeziu Hyseni tha se Kosova përkundër të gjitha sfidave viteve të fundit, madje edhe situatës së rënduar me pandeminë, ka qëndruar demokratike dhe transparente.

Raporti i Komisionit Evropian, tha ajo, e nxjerrë Kosovën pozitivisht, ngase, sipas saj, Kosova ka shënuar progres në sundimin e ligjit, transparencën, mediat e lira, luftimin e krimit dhe korrupsionin, rritjen e eksportit, investimet e huaja etj.

Në pjesën e fundit të takimit, punimet vijuan me penelet e diskutimit lidhur me progresin e arritur në procesin e integrimit evropian, të drejtat themelore me fokus te komunitetet jo shumicë, të drejtat e grave dhe dhunën ndaj tyre, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shoqërinë civile dhe mediat, krizën energjetike, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin, si dhe të drejtat e fëmijëve dhe respektimin e tyre.

Ndryshe, Takimi i Nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, BE – Kosovë do të vazhdojë punimet edhe ditën e nesërme, duke filluar në orën 8:30. ​



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 mars 2023

- Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë konferencë për media ku do të paraqitet shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. (Selia Qendrore, ora 13:00)

- PSD organizon protestë kundër marrëveshjes së 18 marsit. (Sheshi “Zahir Pajazit”, ora 14:00)