21 Dhjetor 2024

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Prishtinë, 23 mars - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se asnjëherë nuk do të shqyrtojë modele të autonomisë territoriale për komunitetin serb Kosovë dhe se koncepti “vetëmenaxhim” që është përfshirë në marrëveshjen e arritur në Ohër nuk ka të bëjë me vetëqeverisjen.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati që u përshkua më tone të ashpra në parlamentin e Kosovës mbi marrëveshjen me Serbinë për zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që u arrit në fundjavën e kaluar në Ohër.

“Unë kurrë, e përsërisë kurrë, që do të thotë asnjëherë, askund nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale megjithëse ato marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur shumë në territorialitetin si element qenësor. Komunat nuk janë vetëm njësi administrative por edhe territoriale prandaj territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar të cilën nuk guxojmë as ta lejojmë dhe as ta përsërisim”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kosova ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në themelimin e tij do të përfshihen kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por partitë opozitare e akuzuan kryeministrin Albin Kurti se përmes marrëveshjes ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë me Serbinë dhe pranuar një autonomi shtesë për serbët e Kosovës.

“Pra nuk ka sjellë (marrëveshje) ligjërisht të obligueshme për përmbyllje të ballafaqimit me Serbinë, nuk ka sjellur ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër me të por ka sjellur ligjërisht të obligueshme të drejtat vetmenaxhuese për komunitet, autonomi pra Asociacion plus e status politik të Kishës serbe”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Neni 7 para së gjithash është problemi kryesor sepse kushdo le të mundohet të arsyetojë, si të dojë, por në dy paragrafe të atij neni nënteksti është i qartë autonomi politike për komunitetin serb dhe eksterritorialitet për Kishën Ortodokse serbe. Doli këtu tha jo autonomi territoriale po normal që jo sepse nuk mund të lidhet Shtërpca me Leposaviçin, nuk ka autonomi territoriale ama autonomi politike me kompetenca ekzekutive po”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Mëtutje u tha autonomi territoriale, autonomi politike, u tha eksterritorialitet fetar në këtë marrëveshje, as Serbia nuk po thotë kështu, pse po e çoni terminologjinë, nocionin, konceptet në kuptim edhe më të skajshëm se vet Serbia, pra as Serbia e as Bashkimi Evropian nuk thotë që vetëvendosja është brenda kësaj marrëveshje për komunitetit por vetëm vetmenaxhimi, as vetëqeverisja e as vetadministrimi. Nuk thonë autonomi politike, nuk thonë autonomi territoriale dhe nuk thonë eksterritorialitet fetar”, tha kryeministri Albin Kurti.

Marrëveshja e 18 marsit është mirëpritur në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Sekretari Blinken i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Senatores demokrate Jeanne Shaheen lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

“Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende”, tha Sekretari Blinken.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor i tyre.

Autoritetet në Kosovë i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila siç thonë po refuzon të nënshkruajë pajtimin e arritur në Ohër ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë se nuk do të zbatojë pjesët e saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha sot para fillimit të takimit dy ditësh të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian se çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë.

“Marrëveshja është arritur dhe duhet të zbatohet. Nuk ka vend për zgjedhje, duhet të zbatohet në tërësi nga të gjitha palët dhe ne do të vëzhgojmë me kujdes se kush e zbaton dhe kush nuk e zbaton. Dhe i këshilloj që të mos e drejtojnë gishtin ndaj askujt por të kryejnë punën e vet”, tha zoti Borrell.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se marrëveshja e Ohrit, duhet të zbatohet duke përgëzuar të dyja palët për pajtimin rreth saj

Chollet gjatë ditës ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ta uruar atë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)