05 Dhjetor 2024

Sfidat energjetike të Qeverisë së Kosovës

Shkruar nga Ali Mehmeti

Energjia elektrike është vetëm një formë e energjisë, që në epokën tonë është më e përshtatshmja për përdorim në jetën e përditshme dhe në industri.

Si e tillë ajo nuk ndodhet në natyrë, prandaj duhet të fitohet nga ndonjë burim tjetër i energjisë që ndodhet në natyrë duke e shndërruar atë në energjie elektrike.

 Edhe pse gabimisht, ky shndërrim sot quhet “prodhim” në të gjitha gjuhët e botës, prandaj do e përdorim edhe ne
.
Burimet që sot përdoren për prodhimin e energjisë elektrike janë: nga energjia e rrjedhave të lumenjve (ujit); nga energjia termike e fituar me djegie të thëngjillit, karburanteve të lëngëta apo të gazta dhe biomasës; energjia e erës; energjia e diellit; energjia termike që vjen nga thellësia e tokës (energjia gjeotermike) dhe nga energjia bërthamore që lirohet gjatë zbërthimit të bërthamës së atomit.

Krahas faktorëve tjerë, janë tre nga burimet e përmendura që kanë shkaktuar rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në tregun evropian dhe jo vetëm, madje që janë përputhur me një periudhë mjaftë të ashpër të dimrit që ka rritur kërkesën për energji.

Në shumicën e shkrimeve të javëve të fundit, me të drejtë, faji kryesor i lihet çmimit të gazit natyror që vjen nga Rusia, me të cilin plotësohet gjysma e nevojave të përgjithshme evropiane.

Pjesa tjetër, një e treta vjen nga tregu ndërkombëtar në formë të gazit natyror të lëngshëm që transportohet me anije dhe pjesa e mbetur nga Algjeria dhe Libia.

Nga gazi natyror prodhohet rreth 20% të energjisë elektrike në Evropë, 40% nga burimet e rinovueshme, 25% nga energjia bërthamore dhe 15% nga qymyri.

Rritja e çmimit të gazit është provokuar nga sjellja e Rusisë e cila refuzon të dërgoj gaz në sasi më të mëdha sesa që i ka të kontraktuar me kontrata afatgjata.

Me fjalë tjera refuzon kontrata të reja, të atypëratyshme sikurse edhe transportimin e gazit nëpërmjet Ukrainës.

Kjo vjen ndoshta edhe në shenjë hakmarrjeje ndaj mos lëshimit në punë të gazsjellësit verior (Nord Stream2), që lidh direkt Rusinë me Gjermaninë.

Rritja e çmimit, i cili u shtatë fishua dhe kursimi i gazit, u provokua edhe për shkak të situatës së krijuar në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ku nuk përjashtohet as konfrontimi ushtarak që edhe më shumë ul sigurinë e furnizimit me gaz të Evropës.

Nuk mund të neglizhohet as fakti që kërkesa botërore për gaz natyror, para së gjithash në Azi, nga Kina dhe Japonia ka ndikuar në rritjen e çmimit.

 Këto fakte ndikuan që gazi i deponuar në Evropë, i cili edhe ashtu nuk ishte në kuotat e tij maksimale, të kursehet dhe termocentralet  me gaz të ulin ose ndalojnë prodhimin, kurse gazi të përdoret kryesisht për ngrohje.  

Burimi i dytë që ndikoi në mungesë të energjisë elektrike, respektivisht në rritjen e çmimit, është prodhimi i energjisë elektrike nga energjia bërthamore në Francë.

Atje, gjatë këtij viti kanë dalë jashtë përdorimit 15 nga 56 reaktor bërthamor, për arsye të ndryshme. Këta 15 reaktor me fuqi 15x900MW, në vitin 2020, prodhuan 74TWh (tera-vat-orë) nga gjithsej 500TWh, sa ishte prodhimi i gjithmbarshëm nga të gjitha burimet.

Pra, kaq energji mungoi në vitin 2021. Sa për krahasim, Kosova dhe Shqipëria bashkë, prodhojnë pak mbi 10TWh në vit.

 Si pasojë Franca, nga eksportuesi prej 45TWh në vitin 2020, në muajin dhjetor 2021 u shndërrua në importues ditor prej 10-15GW (fuqia e barabartë me 10-15 fishin e kapacitetit të Kosovës A dhe B së bashku).

Burimi i tretë, edhe pse, sot për sot me më pak ndikim në sasi, është shumë domethënës. Mungesa e erërave në detet veriore, vetëm në Gjermani, ka zvogëluar prodhimin e energjisë elektrike për 42% nga turbinat me erë.

Gjermania parasheh se deri në vitin 2030, 80% e prodhimit të energjisë elektrike të bazohet në energji të rinovueshme.

Paradigma se energjia elektrike e prodhuar nga era dhe dielli është e pashtershme, është falas dhe është e pastër, është e gabuar.

Mund të ndryshoj dhe shteret, madje disa herrë brenda ditës, javës apo muajit, në vartësi nga era që fryn ose jo, nga retë që mbulojnë diellin, dita dhe nata apo lartësia e diellit në horizont.

Nuk është falas, sepse çdo transformim në energji elektrike kushton, sepse kërkon fuqi punëtore të specializuar, pajisje të shtrenjta dhe tokë mbi të cilën do të vendosen.

Nuk është as e pastër, sepse prodhimi i pajisjeve të nevojshme nuk është pa ndikim negativ në ambient. Pra, edhe këto burime të energjisë kanë limitet e veta.

Para së gjithash në fushën e deponimit, nëse në ndërkohë nuk zbulohet ndonjë teknologji e re për magazinimin e energjisë elektrike të prodhuar në periudhat kur kushtet atmosferike janë të volitshme.

Diçka e tillë nuk shihet në horizont. Niveli i sotshëm teknologjik i baterive, nuk e mundëson magazinimin më masiv me çmim të pranueshëm.

Bateria më e madhe në botë, me kapacitet prej 900MWh ndodhet në Florida (ShBA) dhe zen një sipërfaqe prej 16 hektarë! Këtë energji e jep Kosova A+B për një orë. Imagjinoni pastaj çmimin!  

Vendimi i Gjermanisë për të mbyllur 6 reaktorët e fundit bërthamor deri në fund të vitit 2022 me fuqi prej 8,1GW (3 prej tyre u mbyllën para pak ditësh), patjetër se do ta rris prodhimin e energjisë elektrike nga gazi, i deklaruar sikur burim tranzitor, dhe qymyri.

Nga ana tjetër, mos aprovimi i kërkesës së Francës që energjia bërthamore të shpallet sikur energji e pastër, përkundër insistimit të saj, do ta rris edhe më shumë përdorimin e gazit dhe qymyrit. Në të kundërt, nëse aprovohet kërkesa e Francës, i bie që të vazhdojë përdorimi i reaktorëve bërthamor të vjetër 50-60 vjet(!) dhe ndërtimi i të rinjve.

Vetëm naivët mund të besojnë që Franca do të heq dorë nga prodhimi i energjisë elektrike nga energjia bërthamore dhe të mbështetet në gazin rus, që përveç në Rusi, tjetrin rubinet e ka në Gjermani!

Aq më parë kur dihet se 67% të energjisë elektrike në Francë ka origjinë bërthamore (viti 2020). Si dëshmi, një reaktor i ri do lëshohet në punë në fund të vitit 2022. E njëjta logjikë do pasohet edhe nga shumica e shteteve tjera me centrale bërthamore, që janë shtetet më të zhvilluar evropiane.

Taksa e aplikuar në emetimin e dyoksid karbonit (CO2) prej 86 €/t, që në të ardhmen do të rritet edhe më shumë, luan rolin e vet. Emetimi i këtij gazi gjatë prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri është 800g/KWh, nga gazi natyror 500g/KWh dhe nga bërthamorja 12g/KWh.

Pra, çdo kilovatore të prodhuar nga qymyri do ti shtohet taksa e karbonit prej 6,88eurocent, nga gazi 4,3eurocent dhe nga bërthamorja 0,1eurocent.

Për ta parandaluar emetimin e dyoksid karbonit gjatë prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, ekziston teknologjia efikase e quajtur CCS (Carbon Capture Storage – Kapja dhe Deponimi i Karbonit).

Kapja e karbonit në këtë mënyrë ka kosto prej 72€/t, ku duhet shtuar transportin dhe deponimin prej 35€ (sipas çmimeve amerikane dhe fondit zviceran për investime swisscanto.com).

Duke e ditur se taksa evropiane për karbon parashihet të rritet në të ardhmen, kurse çmimi i teknologjisë CCS mund edhe të zbret, ky opsion duhet marrë në shqyrtim, pavarësisht se në momentin e sotshëm është me i shtrenjtë, Sepse e mbron ambientin dhe hap rrugë për kredi ndërkombëtare.

Politika evropiane ka integruar CCS në Marrëveshjen e Gjelbër për Evropën, ku përveç kapjes parashihet edhe shfrytëzimi i karbonit dhe shpesh shkruhet sikur CCUS.

Fondet evropiane po mbështesin projektet fillestare, duke përfshirë Fondin e Inovacionit, i cili nisi thirrjen e parë për projekte të mëdha në vitin 2020.

Tani ka me dhjetëra projekte në Evropë, që po përshpejtohen dhe projektet e para në shkallë të gjerë do të funksionojnë nga viti 2024. Vendet e Evropës Veriore, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar janë më të avancuarat.

Politika evropiane rreth energjisë, duke pasur parasysh kontradiktat dhe interesat e ndryshëm, qysh tani po hap luftë, para së gjithash atë franko-gjermane. Jo aq të hapur siç ishte “lufta e maskave” apo ajo “e vaksinave” në fillimet e pandemisë, por megjithatë të dukshme.

Në Francë qarkullojnë akuzat, ku thuhet se “Në këtë luftë ekonomike, duhet t’i frikësohemi presionit "miqësor" nga Gjermania” apo “organizatat gjermane, siç është Fondacioni H. Böll, po financojnë sondazhe për të shpërndarë informacionin se francezët janë kundër energjisë bërthamore” (lemondedelenergie.com).

Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz në një intervistë dhënë së fundmi, nuk e ka vënë në dyshim braktisjen e bërthamores: “Energjia bërthamore është rrugë e gabuar, në këtë pikë, ne kemi qartazi një qëndrim të ndryshëm nga ai i qeverisë franceze.

Problemi i mbetjeve nukleare nuk mund të zgjidhet. Ndërtimi i impianteve të reja është shumë i shtrenjtë”.

Pastaj, gazi natyror është pjesë edhe e gjeopolitikës. Në Evropë, siç thamë më lartë, gjysma e gazit natyror importohet nga Rusia, një vend ku ekziston monopoli i gazit nga një kompani, Gazprom.

Kjo kompani është publike dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit. Prandaj, gazi rus mund dhe momentalisht (keq)përdoret në kontekstin aktual, pasi vazhdon kriza rreth Krimesë dhe Ukrainës, midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, apo në të ardhmen në ndonjë krizë tjetër, ku nuk përjashtohet as Kosova.  

Nga sa u tha më lartë rrjedhin edhe disa konkluzione që sigurisht do ta tërheqin vëmendjen e autoriteteve evropiane në lidhje me politikat e tyre energjetike.

Ideja që gazi të vendoset sikur ndërlidhje tranzitore ndërmjet energjisë së prodhuar nga burimet fosile (qymyri dhe nafta) dhe energjisë të rinovueshme (jo fosile dhe pa karbon), ndoshta mund të rishqyrtohet, sikurse edhe vendimi që deri në vitin 2050 prodhimi i gjithë energjisë elektrike të mbështetet në burime të rinovueshme, nga ato, 8% nga uji.

Aq më parë kur është parë (në praktikë) se, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e energjisë së rinovueshme nga era dhe dielli në prodhimin e energjisë elektrike, aq më e vogël do të jetë siguria e furnizimit të pandërprerë. Situata e krijuar gjatë këtij dimri, i vë në sprovë serioze këto vendime.

Nëse kjo politikë nuk ndryshon sot, nuk përjashtohet mundësia që të ndryshojë më vonë, kur shihet se objektivi është i paarritshëm. Shumë nga ekspertët janë pesimist në mundësinë e realizimit të agjendës 2050.

Madje njëri nga ta shkruan: “Skenarët me përqindje shumë të larta të energjisë së rinovueshme, ose ata që kërkojnë zgjatjen e punës së reaktorëve bërthamorë ekzistues përtej 60 viteve, përfshihen në një bast të rënd teknologjik.

 Me fjalë të tjera, ne po luajmë me të ardhmen tonë në rulet – rus, natyrisht” – shprehet decidivisht Serge Gil, ish shef teknik dhe i sigurisë në Komisariatin për Energji Bërthamore në Francë.

Përfundim

Me teknologji të njohura deri më sot, energjia elektrike e fituar nga era dhe dielli (pjesërisht as ajo nga uji), nuk mund të magazinohet në masë të mjaftueshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike. Si pasojë, ka nevojë për burime të sigurta, qoftë edhe vetëm sikur rezervë;

Taksa progresive e karbonit do të ndikojë në mbylljen e termocentraleve me qymyr, ose do të kërkohet modernizimi i tyre me teknologjinë CCS, që nuk është aspak e lirë;

Duke pasur parasysh kontradiktat franko-gjermane, është e pritshme që dy burimet e energjisë do të mbesin dominante në Evropë: e rinovueshme (me ujë, erë dhe diell) të shtyra nga Gjermania dhe ajo bërthamore e shtyrë nga Franca. Energjia e prodhuar me gaz natyror do të mbetet në rezervë, kur do të mungojë ajo e rinovueshme;     

Shtetet e Evropës veriore, në shumicën e rasteve, si energji të rinovueshme do ta përdorin erën, kurse ato në jug energjinë diellore, sikurse edhe ujin ato që disponojnë me kapacitete të mjaftueshme hidrike me topografi të përshtatshme;

Shtrohet pyetja se çka do bëjnë shtetet më pak të zhvilluara, pa mundësi të ndërtojnë centrale bërthamore, pa resurse ujore, me pozicion gjeografik ku nuk ka mjaftueshëm as erë, as diell, në rast se do të detyrohen, në një mënyrë ose në një tjetër, të mbyllin termocentralet e tyre të bazuara në qymyr?

Asgjë tjetër, përveçse të investojnë para të mëdha në panele diellore, në turbina me erë dhe, në të njëjtën kohë të lëngojnë nga pasiguria energjetike dhe nga pasiguria sociale?!

Duket se zgjidhja më e arsyeshme për Kosovën, e të cilën do t’ia sugjeronim Qeverisë së Kosovës, është pikërisht teknologjia CC(U)S, në kombinim me energjinë e rinovueshme.
02.01.2022.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)