19 Prill 2024

Kur poetja e shprehë vrullin shpirtëror në poezi

Shkruar nga Ahmet Pllana

Për librin e poetes Bedrie Bajoku me titull “Akullorja në shi”, botuar ditë më parë, në fundprill të vitit 2023, nga Shtëpia Botuese “ProkultPress” që përmbanë 104 poezi, mund të thuhet se ka një pozitivitet letrar sipas qasjes poetike.

Malli dhe dashuria për Atdheun janë sentencat kryesore që poetja Bedrije Bajoku i shprehë që dalin nga një duf i shpirtit përmes vargjeve të shkruara me përkushtim, përkatësisht përmes frymëzimit që ia ka diktuar mendja nëpër kohë.

Poetja përmes këtij libri lexuesit i sjell një laryshi dhe freski me mënyrën e qasjes së poezive që përbëjnë bukuri dhe këndshmëri në të lexuar.

Përpos kësaj, poetja Bedrie Bajoku shkruan aq  bukur poezi, sa që vërtet lexuesi do të ndjejë melodinë dhe ritmin e poezisë.

Kjo tregon se poetja Bajoku e ka kuptuar poezinë dhe e ka në ëndje shprehjen e ndjenjave në vargje dhe ndjeshmërinë poetike, duke nxjerr njëkohësisht frymëzimin poetik të dalë nga një duf dhe vrull i shpirtit.

Secila poezi e ka bukurinë e vet poetike dhe sentencën e artit, duke ia shtuar edhe mesazhet që i përshkojnë poezitë.  

Poetja në librin e saj me poezi me titull “Akullorja në shi”, në fillim tek lexuesi asocion në bazë të titullit se libri përmbanë vjersha për fëmijë, por jo, në të vërtet libri përmbanë poezi për të rritur, madje të shkruara bukur dhe mjaft të pjekura si vargje dhe si poezi.

Poezitë e poetes në këtë libër janë të shkuara me një përkushtim të rrallë, me një ngjyrim dhe gjuhë të artit, por edhe me një frymëzim që buron nga shpirti.

Autorja në librin “Akullorja në shi”, ka poezi me përmbajtje të llojeve të ndryshme, sikurse poezi të atdhedashurisë, poezi me tematikë shoqërore, sociale, të dashurisë, të kritikës ndaj dukurive negative në shoqëri, ndaj urrejtjes, egos, lakmisë e të tjera, por edhe poezi të karaktereve njerëzore, të kulturës dhe edukatës njerëzore, etj.

Pra, për çështje të dëmshme për shoqërinë, por edhe ato të dobishmet për shoqërinë.  Ajo shkruan për Atdheun, për lirinë, për çështje dhe probleme të ndryshme që i përcjellin njerëzut dhe shoqërinë gjatë jetës.

Poetja ka arritur nivel të duhur në mbarështërimin e poezive me qasje të përmbajtjes dhe artit, duke ia shtuar edhe ritmin, melodinë dhe muzikalitetin e poezisë.

Prandaj, duke e lexuar secilën poezi veç e veç, të jep një qartësi, kuptimësi, përmbajtje dhe një kënaqësi shpirtërore, pos asaj që të dhuron edhe mesazhin pozitiv.

Në poezinë me titull “Mos u largo”, autorja shpreh shqetësimin dhe mllefin e saj ndaj atyre që e lëshojnë vendin e vet, andaj ajo shprehet:  

Mos shko larg
Atje këmbët s’të bëjnë
Të lodhen
Se kryet e mban prapa.

Mos shko larg
Atje nuk ke fole
Se foleja është këtu
Në vendlindje.  

Në po të njejtën poezi poetja e shpreh pezmin e saj, duke u shprehur se malli të plakë, të rrudhos, se guri rëndë peshon në atdhe.

Mos shko larg
Se atdheu të plakë
E malli të rrudhos
E mendja s’di ku sos.

Mos shko larg
Kot e ke
Se guri i rëndë
Peshon në atdhe.

Ndërkaq, poetja Bedrie Bajoku në poezinë me titull “Akullorja në shi”, që këtë titull e mbanë edhe libri, lutet që mos të bjerë shi dhe që mos ta shkrijë akulloren.

Sa dëshirë do kisha
Të shkoja në det
Akulloret e ëmbla
Ti provoja vetë.


Sa mirë do të ishte
Të mos binte shi
Akulloret me ngjyra
Mos t’i përzijë.

Në këtë poezi që u kushtohet fëmijëve, sepse akulloret i duan fëmijët, poetja pos që lutet të mos bjerë shi, i porositë fëmijët që të marrin akullore gjatë verës, sepse janë të ëmbla, kanë shije të këndshme dhe ndikojnë në rritjen e tyre.

Akullore me arra  
Akullore me lajthi
Disa me çokollata
Top për bukuri

Eh sa shije kanë
Ato kur n’gojë shkrihen
Jeta zbukurohet o shokë
E i lumtur rritesh.

Për fund, mund të thuhet se libri me poezi “Akullorja në shi” e poetes Bedrie Bajoku e ka arritur nivelin e duhur poetik dhe është një dhuratë e mrekullueshme për lexuesit. Autores i dëshirojmë shëndet dhe suksese në të ardhmen me prurje të reja

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)