22 Dhjetor 2024

Korrupsioni dhe institucionet

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Ditët e fundit ka patur një aktivizim të madh të krerëve të shtetit kah drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit. Presidenti i Republikës brenda pak ditësh ka vizituar Kryeprokurorin e Kosovës dhe atë special, dhe më në fund i ka zhvilluar një vizitë dhe Gjykatës Supreme. Lajtmotivi i vizitës së tij ishte \"lufta kundër korrupsionit\". Nuk mbeti pas as kryeministri i cili mbi dhjetë herë e ka përmendur \"luftën kundër korrupsionit\", në mesazhin e tij të pazakontë. Ishte një mesazh kopie jo besnike e stilit amerikan të ligjërimit, por druaj se do të zerë vend tek qytetari i Kosovës.

Tema e luftës kundër korrupsionit është bërë praktikisht tema dominante edhe e një pjese të opozitës, e cila dikur ka qenë  në pushtet, pra në qeverisjen e pas viteve 1999.  Por dhe ajo jep mesazhe të gabuara: ajo e shikon  zgjidhjen vetëm tek largimi i Thaçit dhe i kësaj qeverie. Mesazhet që ajo ka dhënë në lidhje me hetimet janë thjesht me natyrë partiake- duhet të ikë kjo qeveri, që të vijë një qeveri tjetër. Por vetëm kaq është pak.

AKR-ja mendon ndryshe. Mesazhet e të gjithë këtyre faktorëve, Presidentit, Kryeministrit dhe e kësaj pjese të opozitës kanë një  emërues të përbashkët. Politizimin e drejtësisë. Politizimin e institucioneve. Politizimin e rezultateve të punës së  drejtësisë. Pushtimin e hapësirës jetike të veprimit të drejtësisë. Përshembull a ju duket normale, a keni parë kund në ndonjë vend perëndimor që Presidenti të shkojë dy herë brenda një jave në vizitë në institucionet kryesore të drejtësisë dhe t\'u japë atyre porosi të luftojnë korrupsionin?

Gjykatat nuk kanë në misionin e tyre asfare të luftojnë korrupsionin dhe presidenti duhet ta dijë më mirë se unë këtë. Gjykatat duhet të japin drejtësi. Nga ana tjetër nuk është normale t\'i krijohen komplekse drejtuesve të institucioneve të drejtësisë duke i kujtuar të kaluarën e tyre apo duke i rrahur shpatullat, duke u lëshuar mesazhe atërore kur po hetohet në të gjitha frontet. Kryetari i Kosovës është njeri partiak, formalisht numri një i partisë më të vjetër të Kosovës, dhe njerëzit e LDK-së mund të jenë gjithashtu objekt hetimi.

E kishte plotësisht gabim dhe Kryeministri, megjithë mesazhin e tij \"prekës\" që kishte në thelb drejtimin prej qeverisë \"të luftës kundër korrupsionit\". Si mund të drejtojë këtë luftë sot kreu i qeverisë e cila po hetohet për korrupsion? Është kontradiktore deklarimi se qeveria po e lufton korrupsionin ndërsa në anën tjetër ajo vetë po hetohet. Kjo ngjan më shumë si vetëmbrojtje në sytë e qytetarit- ai duhet ta kishte filluar me kohë luftën ndaj korrupsionit. E vlerësojmë që Kryeministri e ka kuptuar më në fund se është në mes të krizës së besimit popullor, por kjo s\'do të thotë se bash sot ai ka mundësi të luftojë korrupsionin si udhëheqës i kësaj lufte.

Qasja jonë  si AKR, është plotësisht institucionale. Diku në një shkrim timin kam thënë se jemi duke ndërtuar një shtëpi të re, një shtet të ri. Sa më mirë të ndërtojmë themelet e këtij shteti tani, aq më i fortë do të jetë ai nesër\". Ky shtet, institucionet e tij po vendosin themelet pikërisht në betejat e sotme, kur prokuroria sot dhe gjykatat nesër do të vendosin për fajësinë apo jo të ministrave të kësaj qeverie, e pse jo dhe udhëheqësve të këtij shteti. Por këto institucione duhen lënë rehat në punën e tyre. Pushtetet janë të ndara në një shtet ligjor, dhe ne si politikanë, të dy krahëve, thjesht duhet t\'i mbështesim këto institucione, t\'i krijojmë kushte normale pune, jo si në prokurorinë e Prishtinës ku ka vetëm një faks siç njoftonte një media dikur.

Ne si AKR- kemi një qasje plotësisht institucionale, sepse ne e kuptojmë mirë shtetin ligjor që kalon nga parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve. Ne e dimë se kryeministri ka një hise në luftën kundër korrupsionit, por për këtë ai duhet vetëm të realizojë ato që premtoi në mesazhin e tij- ndryshime efikase në Kodet e Kosovës. Ai duhet të krijojë dhe forcojë institucionet ekzekutive të kësaj lufte si Auditet, kontrollet ekzekutive, task forcën antikorrupsion, të rrisë transparencën në prokurime, të thjeshtojë procedurat, t\'i japë mjete hetimore, përgjuese policisë, etj, etj. Këto institucione duhet të përgatisin lëndën e punës për prokuroritë dhe gjykatat, por gjithsekush hisen e vet, brenda sinoreve të vet.

Ne të  AKR-së, kemi një qasje institucionale, sepse ne besojmë  se Kosova stabilizohet nëse forcohen institucionet e saj, nëse hetimeve u shkohet deri në fund dhe nëse politika heq dorë nga futja e hundëve në proceset hetimore apo nga shantazhet ndaj hetuesve. Ne të AKR-së, mendojmë se kemi më shumë të drejtë se partitë e tjera të flasim për korrupsionin, sepse ne s\'jemi të përlyer në punët jo të mira të qeverisjeve të pasluftës.

Disa propozime politike

Mesazhi i kryeministrit Thaçi, tregoi se kjo qeveri ka humbur, jo vetëm besimin e qytetarit. Jam plotësisht dakord me kolegët e tjerë të opozitës se kjo qeveri s\'mund të vazhdojë më, pra jam për dorëheqjen e saj. Por nëse për shkak të veçorive ku gjendet Kosova, për shkak të insistimit të miqve tanë për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme, ne nuk do arrijmë dot objektivin tonë si opozitë, atëherë ne kemi disa kushte.

Ne e mbështesim EULEX-in në këtë rol aktiv që ka marrë, sepse ne besojmë se prokurorët tanë nuk mund të hetonin dot ministrat në këtë fazë të shtetësisë  sonë. Pra EULEX duhet të udhëheqë hetimet dhe t\'i çojë  ato deri në fund.

Ne do të  propozojmë shumë shpejt një platformë ligjore dhe politike antikorrupsion.

Ne duam një  kuadër të modifikuar zgjedhor, por vetëm me konsensusin e të  gjithëve.

Ne jemi kundër privatizimeve të rëndësishme në vitin e fundit të  mandatit siç premtoi kryeministri për KEK-un dhe PTK-në. Në asnjë vend normal, një qeveri nuk kryen privatizime të mëdha vitin e fundit dhe miqtë tanë duhet t\'ja thonë kryeministrit këtë praktikë të konsoliduar antikorrupsion në vendet e tyre. AKR-ja e mbështet fuqimisht mospërzierjen e qeverisë në ekonomi, në kontratat komerciale. Por ngritja e dollisë prej anëtarëve të qeverisë për kontrata të tilla, dukej diçka e vrazhdë. Ne presim shumë që të sigurohet transparencë rreth kontratave vitale për Kosovën që ka firmosur kjo qeveri, pasiqë ajo deri më tani mungon.

Unë e mbështes ICO dhe Peter Faith për mospërdorimin e fondeve të  Trustit pensional dhe të privatizimit që nuk janë  fonde të kësaj qeverie, por të gjithë Kosovës. Asnjera prej këtyre qeverive nuk mund të përdorë këto para për mbushjen e kasave të saj, për nevoja emergjente, për programe të ngutshme të saj, por duhet të krijohet një Agjencion i kontrolluar nga akterët civilë, politikë dhe apolitikë të Kosovës, për të menaxhuar këto fonde që duhet të shërbejnë për ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Ne jemi tërësisht kundër bisedimeve teknike pa konsultime të kryera brenda një  institucioni koordinimi të të gjithë palëve apo faktorëve politikë dhe civilë në Kosovë.

Unë jam thellësisht i bindur se zërave për ndarje të Kosovës duhet t\'i kundërvihemi vendosmërisht si një komb i bashkuar. Por ama mendoj se dhe idetë për riorganizime territoriale që \"njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës së veriut\", nuk mund të vendosen nga kjo qeveri siç u zotua kryeministri. Kryeministri duhet ta sqarojë se ç\' ka dashur të thotë me fjalët për \"Kosovën veriore\". Kjo qeveri është nën hetim, është nën emergjencë, është e akuzuar fort për korrrupsion ndaj për fatin e Kosovës duhet të vendosin të gjithë, shumicë dhe opozitë si në të gjithë vendet normale.

Më duhet të them krejt në fund, se qytetari i Kosovës nuk është impresionuar  prej fjalimit që ishte i mirë, sepse në fund të fundit kryeministri u zotua për të vendosur në jetë premtimet e vjetra dhe të reja. Nëse nuk i mban këto premtime, atëherë efektet mbi të do të jenë më shkatërrimtare se tani kur kryeministri u detyrua të pranonte publikisht gabimet e veta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)