29 Mars 2023

Vazhdon dialogu mbarëkombëtar për Angazhim Qytetar, në rajonin e Pejës

Pejë, 19 maj - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Misioni i USAID-it në Kosovë po vazhdojnë dialogun mbarëkombëtar në emër të Programit për Angazhim Qytetar, dialog i cili filloi javën e kaluar në rajonin e Prizrenit dhe vazhdoi sot në rajonin e Pejës.

Në aktivitetin e sotëm, qytetarë, përfaqësues nga sektori privat, institucioneve publike dhe organizatat e shoqërisë civile nga Peja, Klina dhe Istogu, u mblodhën në Qendrën Kulturore Rinore në Pejë, për të diskutuar mbi mundësitë e angazhimit dhe veprimeve të përbashkëta me qëllim të ndërtimit të komuniteteve më të forta dhe mjedise më të mira jetese për qytetarët që jetojnë në këtë rajon.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, z. Dren Puka, Drejtor i Hulumtimit, Avokimit dhe Ngritjes së Kapaciteteve në KCSF, tha se shoqëria civile nuk mund të mendohet assesi pa secilin e secilën që mendon për angazhim qytetar, dhe assesi vetëm organizatat e shoqërisë civile nuk duhet të shihen si të vetmet që e përbëjnë.

“Kryesisht për shkak të kohës dhe sistemit në të cilin jetojmë, fokusi kryesore është në kapital dhe për përfitime të shpejta e të drejtpërdrejta, dhe për pasojë kolektivja jo rrallë mbetet dytësore. Për zhvillim të qëndrueshëm na duhen nisma të përbashkëta, ku qytetari e qytetarja bashkëpunojnë dhe angazhohen së bashku edhe me sektorë të tjerë dhe mbajnë institucionet publike përgjegjëse dhe llogaridhënëse për punën që bëjnë dhe obligimet që kanë”, tha Puka.

Programi për Angazhim Qzytetar është një partneritet në mes të KCSF-së dhe USAID-it në Kosovë, me qëllim që t'i japë shoqërisë civile një kuptim më të madh dhe t'i transformojë komunitetet në komunitete ku përkatësia është mundësi dhe jo barrierë.

“Programi për Angazhim Qytetar përfaqëson një qasje të re të USAID në mënyrën se si mbështet dhe angazhohet me shoqërinë civile, e që ka të bëjë me përkrahjen e qëndrueshmërisë së shoqërisë civile si sektor”, tha James Evans Butler, ushtrues i funksionit të Drejtorit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID në Kosovë.

Gjatë ngjarjes lansuese të Programit për Angazhim Qytetar në rajonin e Pejës, patëm rastin të komunikojmë me publikun dhe të angazhohemi në një dialog rreth tri fushave kryesore tematike të programit: Angazhimi i komunitetit, Besimi ndërshoqëror, si dhe zgjerimi dhe mobilizimi i burimeve. Nëpërmjet tre diskutimeve paralele jo formale, diskutuam me qytetarë, organizata vendore të shoqërisë civile, biznese, institucione qeveritare dhe media, se si t'u ofrojmë mundësi pjesëmarrësve të reflektojnë se si Programi për Angazhim Qytetar mund të jetë i dobishëm për ta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)