19 Prill 2024

OSBE prezanton raportin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë

Prishtinë, 18 korrik - Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka prezantuar sot raportin më të fundit tematik Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë, që shqyrton praktikën e tanishme të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe jep rekomandime për institucionet përkatëse.

Për periudhën 2014 - 2020 në shqyrtim, raporti del me përfundimin se mbrojtja efektive e trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk duhet të kufizohet vetëm në restaurim fizik dhe se nevojitet një qasje më e gjerë. Për të siguruar ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të nevojshme janë po ashtu menaxhimi gjithëpërfshirës, planifikimi hapësinor imagjinativ, vetëdijesimi, dhe trajnimi i personelit në fushën e trashëgimisë kulturore.

Raporti ofron një pasqyrë hollësishme të kornizës ligjore, administrative dhe të politikave në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe analizon ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet çështjeve të mbrojtjes së trashëgimisë, sigurisë, infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor.

Ai vë në dukje se, përkundër dispozitave ligjore të shumta që tashmë janë në fuqi, për zbatimin e plotë të legjislacionit në këtë fushë lipset një përqasje e bashkërenduar më mirë, si edhe thekson nevojën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë kulturore dhe harmonizim të plotë të legjislacionit parësor dhe dytësor me qëllim që të sigurohet një qasje më koherente ndaj trashëgimisë kulturore.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme kulturore në Kosovë, meqë ruajtja efektive e trashëgimisë kulturore është e rëndësishme për të gjitha komunitetet”, ka deklaruar ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Ne besojmë se gjetjet dhe rekomandimet e raportit të prezantuar sot do t’u ndihmojnë institucioneve në përpjekjet e tyre për ta ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore për brezat e ardhshëm”, shtoi ai.

Në fjalimin e tij me rastin e prezantimit të këtij raporti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vuri në pah rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si prioritet i Qeverisë.

“Ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, e cila është vlerë universale dhe çelës për krijimin e ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve”, tha ai. “Jemi të përkushtuar që ta vendosim kulturën dhe trashëgiminë kulturore në qendër të parimeve themelore të bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të një shoqërie demokratike”.

Raporti jep një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore në lidhje me përmirësimin e mbrojtjes dhe valorizimit të trashëgimisë kulturore, përfshirë hartimin e planeve të menaxhimit për objektet e trashëgimisë kulturore, realizimin e vlerësimeve të ndikimit në trashëgimi të ndërhyrjeve të planifikuara, miratimin e një përkufizimi më gjithëpërfshirës të trashëgimisë kulturore, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së objekteve të vendeve të trashëgimisë kulturore ndaj ndryshimeve klimatike dhe shkatërrimit të qëllimshëm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)