01 Prill 2023

Mbyllet me sukses turneu nga Shpat Deda në gjashtë qytete të Kosovës

Gjilan, 19 dhjetor - Salla e Teatrit të Gjilanit ishte e stërmbushur me adhurues te muzikës së kantautorit Shpat Deda në koncertin përmbyllës së turneut të tij ‘Muzikë n’Teatër’.

Fytyra të hipnotizuara pas muzikës së pasur që ndodhte në skenë, drita telefonash që shëndrisnin si xixëllonja anekënd sallës, dhe zëra që dëgjoheshin duke i kënduar bashkë këngët e veçanta të kantautorit. Në fakt, energjia ishte e tillë në secilin koncert të turneut përgjatë udhëtimit në sallat teatrale të qyteteve të Prishtinës, Ferizajit, Gjakovës, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Gjilanit, ku Shpat Deda nën shoqërimin e Visar dhe Tomor Kuçit e performuan repertoarin e këngëve nga albumi i fundit ‘Rrugës’ i Dedës në një spektakël muzikor ku shpërfaqej talenti dhe virtuoziteti i pakrahasueshëm i trios.

Me një program shumë të veçantë dhe të paparë deri më sot nga artistë vendas, ky trio e shpërblyen vëmendjen e publikut me muzikë të pasur me improvizim, eksperimentim dhe lojë me shumë instrumente përgjatë momenteve të cilat do të ngelin gjatë në kujtesën e publikut Kosovar, ndërsa duartrokitjet e gjata me brohoritje derisa publku ngritej i tëri në këmbë ishin fenomene që e shoqëruan secilin koncert.

Seria e koncerteve planifikohet të vazhdojë në secilin qytet ku ka interes për bashkëorganizim nga komunalt përkatëse, ndërsa kjo faza e parë me gjashtë koncerte u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, dhe nga Komuna e Prishtinës në koncertin e Prishtinës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 prill 2023

- Federata e Pingpongut do të organizoj Kampionatin Individual të Kosovës për U19. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Dy ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha do të mbajnë Konferencë për Media. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Mbahet hapja zyrtare e ekspozites “Some Call Us Balkans” i cili mirëpret 8 artistë të rinjë bashkëkohorë veprat e të cilëve eksplorojnë Ballkanin, mitet dhe konceptet e gabuara për të, përdorimet e hapsirës përtej stereotipeve, vizionimin e ekosistemeve të reja, mënyrat e banimit dhe të të qenurit bashkë mbi një bazë të përbashkët. (Termokiss, ora 16:00)

- Gara e Kompozitorëve të Ballkanit do ta hap edicionin e 3-të me programin e koncerteve. (Atelia e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ora 20:00)