Mbahet Ora e Madhe Letrare 'Vjeshta Poetike'
Obiliq, 4 dhjetor - Në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal të Obiliqit u mbajt Ora e Madhe Letrare “Vjeshta Poetike në Obiliq, 2022”, edicioni i VII-të, ku morën pjesë poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, etj.
Në këtë Orë Letrare, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet për çdo vjet, ndërsa këtë vit u mbajt për të shtatën herë me radhë, kanë marrë pjesë poetë nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Burreli, Prizreni, Gjakova, Ferizaji, Vushtrria, Klina, Lypjani, Vitia, Besiana, Fushë Kosova, etj.
Poezitë e tyre i lexuan këta poetë: Behram Hoti, Hysen Greiçevci, Hamdi Hysuka, Gjokë Sokoli, Idriz Berisha-Xhixhi, Syhejl Havolli, Fatmir Çitaku, Drita Kosumi-Syla, Xhemajl Hajdini, Halit Zymeri, Memet Selmani, Bahrije Qerimi-Spanca, Ihsane Krasniqi, Mexhid Havolli, Ferdane Pllana, Abdullah Troshupa, Mejrem Kajolli-Tusha, Bekim Dugolli, Blerta Tmava, Fazli Ferati, Ilirida Ismaili, Kujtim Stana, Mirvete Kabashi-Leku, Sanije Ahmeti-Dubova, Ahmet Pllana, etj.
Pasi lexuan të gjithë dhe rapsodi Tahir Seferi nga Shkupi i këndoi dy këngë, juria e përbërë nga Sanije Ahmeti-Dubova, Ahmet Pllana dhe Zymer Mehani njoftuan se në konkurs kanë arritur 46 poezi, kurse Çmimi i parë iu nda poezisë me titull “Mos e fikni dritën” me shifër “Gjoni”, Çmimi i dytë iu nda poezisë me titull “Në kornizë mbërthyer” me shifër “Nëna” dhe Çmimi i tretë poezisë me titull “Në strehën e kujtimeve” me shifër “Pa shifër”.
Meqë Komuna nuk e ka mbështetur këtë event kulturor poetik me mjete financiare, për çmimet nuk ndahen euro.
Në fund, të gjithë pjesëmarrësve iu dhurua nga një libër me poezi “Vjeshta Poetike në Obiliq 2022”, me të gjitha poezitë e arritura në konkurs. Gjithashtu të gjithë pjesëmarrësve iu nda nga një Mirënjohje.
Ahmet Pllana