29 Mars 2023

Kurti takoi bashkatdhetarët në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas

Teksas, 13 maj - Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e dialogut me mërgatën, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas, ku ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në këtë shtet.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e madh nga mërgata e Amerikës për çështjen e Kosovës si dhe rolin vendimtar në zhvillimet historike për vendin tonë.

Duke theksuar zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar bashkë për të mirën e përbashkët, ai tha se në qeverisjen tonë, mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Vëmendja e veçantë e Qeverisë për mërgatën është reflektuar edhe në Programin Qeverisës, tha kryeministri, ndërsa përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata  në Kosovë, strategji të re për diasporën, projektligj të ri. Ai theksoi se nëpërmjet nismës së dialogut me mërgatën synohet zhvillimi i partneriteteve me mërgatën dhe thellimi i bashkëpunimit të tyre me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit, investimeve dhe inovacionit.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka interesim për të krijuar partneritet të ngushtë me mërgatën, dhe se mirëpret të gjithë bashkatdhetarët tonë, ndërmarrësit nga mërgata, bashkë me partnerët ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë.

Në këtë takim, kryeministri u shoqërua nga zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Liza Gashi dhe Shefi i stafit të kryeministrit, z.Luan Dalipi.

 



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)