29 Mars 2023

KCSF lanson Programin për Angazhim Qytetar

Prizren, 12 maj - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF), do të lansojë sot në Kinema “Lumbardhi” në Prizren, Programin për Angazhim Qytetar.

Qëllimi i kësaj ngjarje që nis me rajonin e Prizrenit dhe do të vazhdojë edhe në shtatë rajone tjera në Kosovë, është që të prezantojë prioritetet, veprimet e aktivitetet kryesore të Programit për Angazhim Qytetar, por edhe të angazhojë publikun në një dialog rreth tri fushave kyresore tematike të programit: 1) Angazhimi i komunitetit; 2) Rritjen e besimit ndërshoqëror si dhe 3) Zgjerimin dhe mobilizimin e burimeve të reja për shoqërinë civile.

"Nëpërmjet diskutimeve tona paralele dhe joformale, ne synojmë që të bashkëbisedojmë me qytetarët, organizatat lokale të shoqërisë civile, bizneset, institucionet publike vendore dhe mediat, për këto tematike, si dhe të ofrojmë mundësi pjesëmarrësve që të reflektojnë se si Programi për Angazhim Qytetar mund të jetë i dobishëm për ta", thekson KSCF.

Programi për Angazhim Qytetar është një iniciativë pesëvjeçare që zbatohet nga KCSF në partneritet me USAID-in në Kosovë.

Qëllimi kryesor i këtij programi është të nxisë një kulturë aktivizimi që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe kuptimplotë.

Nëpërmjet Programit për Angazhim Qytetar do të realizohen një numër i aktiviteteve të bazuara në tre shtyllat thelbësore tematike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)