Grupet e udhëhequra nga fëmijët hapin ekspozitën e artit të ricikluar
Prishtinë, 20 nënto - Grupet e udhëhequra nga fëmijët “Respect Our Rights - ROR” dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve të mbështetur nga Save the Children Kosova organizojnë hapjen e Ekspozitës së Artit të Ricikluar.
Më ketë ekspozitë fëmijët synojnë të angazhohen në një diskutim të sigurt me bartësit e detyrës në nivel qendror dhe lokal dhe akterë të tjerë të cilët mund të sjellin ndryshim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Duke vënë në pah nevojat e fëmijëve që rezultuan nga raporti "Zërat e Rinj" 2022, fëmijët u bëjnë thirrje institucioneve përkatëse për të trajtuar krizën klimatike, duke qenë se një fenomen i tillë cenon të drejtat e fëmijëve për një jetë më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë.
Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të fushatës globale Save the Children "Generation Hope", e cila synon kufizimin e ndryshimeve katastrofike klimatike duke u siguruar që të drejtat e fëmijëve janë në qendër të reagimit të politikbërësve dhe vendimmarrësve.
Punimet e ekspozuara janë krijuar nga vetë fëmijët duke ripërdorur letër, plastikë dhe xham.