22 Mars 2023

Kosto e Ndërtimit regjistron rënie për 0.6 për qind

Prishtinë, 10 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt (TM4) 2022.

Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rënie për 0.6% në tremujorin e katërt (TM4) 2022, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2022.

Rënie më të madhe kishte te: energjia 42.8%; dhe materialet 0.3%.

Ndërsa, rritje kishte te: makineritë 3.9%; kostot e tjera 1.4 %; dhe pagat 0.9%.

Ndërkaq, krahasuar TM4 2022 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2021), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 16.7%.

Rritja e indeksit, kryesisht u vërejt te: transporti 40.4%; makineritë 17.8%; materialet 17.6%; kostot e tjera 12.5%; dhe pagat 9.6%.

Ndërsa, rënie u vërejt te energjia 15.2%.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)