22 Mars 2023

Universiteti i Columbias mbështet Kosovën në implementimin e Strategjisë së Energjisë

Prishtinë, 13 mars - Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit me Universitetin e Columbias në New York të përfaqësuar nga Profesori Jenik Radon i cili specializon në menaxhim strategjik dhe të riskut, sovranitet dhe të drejta të njeriut, veçanërisht mjedisore si dhe transparencë.

Përmes Memorandumit të nënshkruar sot, Universiteti i Columbias do të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë në implementimin e suksesshëm të Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 përmes studimeve e hulumtimeve akademike, përfshirë intervista e takime në terren. Dy pika të fokusit të hulumtimit e raportit të tyre do të jenë zhvillimi i skemave konkurruese për integrim të burimeve të ripërtërishme në Kosovë si dhe skemave mbështetëse për rritje të efiçiencës së energjisë.

Gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, Ministrja Rizvanolli është shprehur se si politikë-bërëse që beson në politikë-bërje të bazuar në fakte, është e rëndësishme që të kemi sa më shumë hulumtime që është e mundur mbi çështjet që i trajtojmë dhe që do të shfrytëzojmë në maksimum hulumtimin nga Universitetit Columbia.

Profesori Radon ka shtuar që; “mezi presim të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me ju [Qeverinë e Kosovës], e jo vetëm një bashkëpunim të njëhershëm. Ne e kuptojmë që puna që jemi duke bërë është më e rëndësishme se kurrë për të kontribuar së bashku në zhvillimin e shtetit tuaj.”

Aktualisht, grupi i studentëve janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë si dhe me të gjithë akterët relevantë për t’u informuar dhe mbledhur informatat e nevojshme për të zhvilluar hulumtimin e studimin e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)