24 Qershor 2024

Shpallet ankandi i parë për parkun me energji solare në Kosovë

Prishtinë, 12 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, kanë shpallur ankandin e parë në Kosovë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh (MW).

Në një konferencë të përbashkët për media, ku mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe administratoren e USAID-it, u tha se Kosova “ka siguruar të gjitha kushtet për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të investojnë” në këtë fushë.

Kryeministri Kurti tha se ky ankand ka efikasitet për ta çuar Kosovën në fazë tjetër të energjisë dhe ekonomisë. Ai tha se ankandi për parkun e energjisë solare i lejon Kosovës të tërheqë teknologji konkurruese duke siguruar njëkohësisht çmime më të përshtatshme për qytetarët e Kosovës.

“Ankandi i parë i Republikës së Kosovës i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavatësh, përmbushë secilin hap të vizionit tonë, e përtej tij, për një ndër sektorët kyçe, ky ankand si skemë konkurruese përmbushë edhe synimet thelbësore të qeverisjes sonë që janë tre sosh. E para, mundësi të barabartë dhe konkurrencë të drejtë për gjithë aktorët e përfshirë. E dyta, inovacion dhe çmime më të përballueshme për qytetarët. Dhe, e treta, të garantojmë transparencë dhe të rrisim llogaridhënien para qytetarëve të vendit”, theksoi Kurti.

Kurti tha se shpallja e këtij ankandi po bëhet në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën kur po merr një ndër hapat kryesore drejt tranzicionit të gjelbër dhe drejt investimit më të madh në sektorin e energjisë ndër dekada.

Ministrja Rizvanolli, nga ana e saj, tha se në një kontekst kur po zhvillohet luftë në Ukrainë është bërë më e qartë se kurrë nuk ka siguri kombëtare pa siguri e pavarësi energjetike të Evropës. Ajo tha se ndërtimi i kapaciteteve i burimeve të ripërtëritshme të energjisë është një ndër faktorët kyç për zhvillim ekonomik e për të mbajtur çmime të përballueshme për qytetarët dhe bizneset e vendit.

“Si rezultat do të shohim 100 megavat shtesë të kapaciteteve të prodhimit vendor. 100 megavat më shumë në energji, invoacion dhe konkurrencë në sektor, vende të reja të punës, stimulim të rritjes ekonomik e përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, theksoi Rizvanolli, duke shtuar se ky rezultat vjen nga bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me USAID-in, si partner kyç zhvillimor.

Ndërkaq, Power tha se Kosova e ka një të ardhme të ndritur në sektorin e energjisë. Ajo theksoi se me parkun me energji solare nuk do të ketë ndërprerje të energjisë në Kosovë dhe nuk do të ketë shqetësime të mëdha me ndërmarrësit e teknologjisë për mungesë të energjisë.

“Ajo çka shpresoj se do të jetë si model edhe për vendet e tjera që të punojnë në rrugëtim të ngjashëm sikurse Kosova e cila ka filluar duke vendosur qëllime të qarta, ambicioze, por të arritshme të cilat i përmendi edhe kryeministri Kurti që në të ardhmen 35 për qind e energjisë në Kosovë të jetë energji nga burimet e ripërtërishme në vitin 2031”, theksoi Power.

Power tha se USAID me Ministrinë e Ekonomisë ka hartuar dhe analizuar vendin dhe hapësirën duke kalkuluar se sa energji solare për secilën energji do të prodhohet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)