29 Maj 2023

Kosova importoi 264 GWh, kurse eksportoi 192 GWh energji elektrike

Prishtinë, 23 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Gjatë muajit mars 2023, prodhimi bruto i energjisë elektrike: nga termocentralet ishte 539.65 GWh; nga hidrocentralet ishte 38.3 GWh; si dhe nga era dhe ajo solare ishte 31.3 GWh.   

Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 681.41 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 468.49 GWh, ose 7.46% më i vogël, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 14.86%.

Ndërkaq, importi  i energjisë elektrike në mars 2023 ishte 264.47 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 192.31 GWh (këtu është përfshirë edhe sasia e transmisionit).

Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 4.61 mijë ton, ose 27.56% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)