29 Mars 2024

Institucionet për sundim të ligjit koordinohen për luftimin e vjedhjeve të energjisë

Prishtinë, 21 nëntor - Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka udhëhequr takimin për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike ku kanë marrë pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës si dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS).

Ministrja Rizvanolli ka thirrur këtë takim me qëllim të koordinimit ndër-institucional për shmangien e humbjeve komerciale në shpërndarje të energjisë elektrike, apo vjedhjeve të energjisë elektrike. Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, këto humbje në vitin 2021 kanë qenë 6.16% apo 386 GWh. 

Me çmimet e importit të energjisë elektrike që pritet të mbretërojnë gjatë muajve në vijim, vazhdimi i një trendi të tillë të humbjeve komerciale mund t’i kushtojë vendit (konsumatorëve dhe buxhetit) më se 100 milionë euro gjatë sezonës së vjeshtës dhe dimrit.

Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për siguri dhe sundim të ligjit konform kompetencave të tyre ligjore, që duke pasur parasysh krizën energjetike në vend, të trajtojnë parandalimin dhe luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë e përgjithshme dhe të qëndrueshëm të furnizimit me energji në Kosovë.

Gjatë takimit, Ministri Sveçla ka potencuar që: “Luftimi i vjedhjeve të energjisë elektrike është temë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne pasi ngjarjet globale patjetër që ndikojnë në sigurinë energjetike, dhe energjia në siguri të vendit. është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi stabilitet energjetik pasi është parakusht për stabilitet të sigurisë kombëtare.”

Këshilli Gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Policia e Kosovës kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim që të trajtojnë luftimin e vjedhjes së energjisë me prioritet të lartë. Pas takimit fillestar për koordinim, do të mbahen takime të radhës teknike për hartimin e planit të veprimit e për të identifikuar mënyrat specifike se si mund të luftohen vjedhjet e energjisë nga të gjitha institucionet relevante.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)