29 Maj 2023

200 mijë familje përfituese dhe mbi 88 milionë euro të kursyera në import të energjisë

Prishtinë, 26 prill - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Shefi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog kanë mbajtur sot një konferencë për media lidhur me përmbylljen e suksesshme të masës për kursimin e energjisë.

Ministri Murati u shpreh se mjetet për zbatimin e kësaj mase për periudhën shtator - nëntor janë alokuar nga buxheti i shtetit, ndërsa pas diskutimeve me Bashkimin Evropian, periudha dhjetor – mars, në vlerë prej 15 milionë euro, është mbuluar nga Pakoja mbështetëse e BE-së.

Tutje, Ministri tha se zbatimi i masës për kursimin e energjisë i ka kursyer buxhetit të shtetit mbi 88 milionë euro, nëse krahasojmë shpenzimin e energjisë për periudhën mbështetëse me shpenzimin e energjisë në periudhën e njejtë të vitit paraprak.

Në anën tjetër, Shefi i Zyres së BE-së, z. Szunyog tha se suksesi i jashtëzakonshëm i kësaj mase të Qeverisë ka shtyer BE-në që në kuadër të pakos mbështetëse të energjisë, të subvencionoj një pjesë të zbatimit të kësaj mase. Ambasadori gjithashtu shprehu përkushtimin e BE-së në mbështetjen e Kosovës drejt dekarbonizimit dhe energjisë efiçiente.

Në kuadër të masës për kursimin e energjisë elektrike janë mbështetur rreth 200 mijë familje në muaj, ndërsa përmbyllja e zbatimit të saj përkon me përmbylljen e sezonit dimëror.

Qeveria e Republikës së Kosovës së shpejti do të njoftoj publikun lidhur me masat e reja që synojnë subvencionimin e energjisë elektrike për familjet.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin e Qeverisë, mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare në vend.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)