22 Dhjetor 2024

UNDP lanson Vulën e Barazisë Gjinore për Agjencinë Kosovare të Punësimit

Prishtinë, 31 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencinë Kosovare të Punësimit dhe Agjencinë për Barazi Gjinore lansuan sot Vulën e Barazisë Gjinore për Agjencinë Kosovare të Punësimit e cila mbështet dhe vlerëson institucionet publike që angazhohen dhe tregojnë rezultate në avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Enis Spahiu, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Jehona Rexha, Zëvendës Drejtoreshë e Agjencisë Kosovare të Punësimit (AKP), Edi Gusia, Drejtoreshë Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ), përfaqësues të Zyrave Rajonale dhe Komunale të Punësimit, të reja dhe të rinj që së shpejti do të hyjnë në tregun e punës dhe zyrtarë nga institucionet qendrore dhe lokale.

Agjencia Kosovare e Punësimit është institucioni i parë publik në Kosovë që do të nis këtë program me qëllim të promovimit të politikave që janë më të përgjegjshme ndaj gjinisë, efektive, efikase dhe të synuara për nevojat e të gjithë njerëzve, veçanërisht të grave në situata të cenueshme. Në veçanti, programi u mundëson institucioneve publike të ngrisin kapacitetet e tyre dhe të avancojnë barazinë gjinore në një mënyrë më efektive dhe më të dukshme.

Në fjalën e saj hyrëse, znj. Suokko theksoi: “Shumë stereotipe gjinore ende mbizotërojnë në Kosovë sa i përket punësimit dhe vendeve të punës. Ne në UNDP jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të ndryshuar mentalitetin, duke pranuar pabarazitë ekzistuese në tregun e punës. Këto lidhen me sfida më të gjera sistematike dhe një pjesë të madhe të informalitetit në tregun e punës. Programi Vula për Barazi Gjinore në Institucionet Publike është një hap i jashtëzakonshëm në drejtim të duhur dhe dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj Agjencinë për Barazi Gjinore për partneritetin me ne në këtë rrugëtim dhe Agjencinë Kosovare të Punësimit dhe Ministrinë për angazhimin e tyre për t’u graduar me Vulën e Barazisë Gjinore”.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka mbështetur vazhdimisht iniciativat që kanë të bëjnë me promovimin e barazisë gjinore. Ne mirëpresim fillimin programit dhe zotohemi ta mbështesim zgjerimin e mëtutjeshëm pas fazës pilot. Vula e Barazisë Gjinore për Institucionet Publike si barometër për institucionet publike do të ndihmojë institucionet tona të tjera të arrijnë një progres të matshëm kundrejt standardeve të njohura ndërkombëtarisht për të adresuar dhe përfshirë, në të gjitha aspektet e punës së tyre, të gjithë elementët e barazisë gjinore”, theksoi z. Spahiu, Sekretar I Përgjithshëm i MFPT.

Znj. Rexha theksoi rëndësinë e Vulës për Barazi Gjinore për agjencinë të cilës i takon: “Jam e nderuar që institucioni i parë në Programin e Vula për Barazi Gjinore për Institucionet Publike do të jetë Agjencia e Punësimit. Procesi i zbatimit të këtij programi do të na ndihmojë të integrojmë çështjet gjinore në politikat dhe aktivitetet tona me synimin për të përmirësuar qasjet dhe ndikimin e tyre

“Është shumë e rëndësishme që Vula e Barazisë Gjinore të mos konsiderohet si një iniciativë vetmitare e momentit, por si një praktike e qëndrueshme e cila fillon me zbatim që nga momenti kur fillojmë hartimin e legjislacionit të ri përmes koncept dokumentit,  ose një draft politikë publike, duke e zbatuar në përpikëri instrumentin e Vlerësimit të Ndikimit Gjinor nga analiza e situatës, draftimi i planeve të veprimit, planifikimi, alokimi, e deri tek ekzekutimi i buxhetit në mënyrë që gratë dhe burrat të përfitojnë në mënyrë adekuate nga fondet publike, mundësitë për zhvillim dhe ngritje në karrierë si parakushte për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Znj. Gusia me këtë rast.

Përmes këtij programi, UNDP me partnerë do të mbështesin së bashku institucionet drejt zbatimit të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) 5 (Barazia Gjinore / Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave) dhe OZhQ 16 (Paqe, Drejtësi dhe Institucione të Forta / Promovimi i paqes dhe shoqërive gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i qasjes në drejtësi për të gjithë dhe ndërtimi i institucione efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)