29 Mars 2023

Regjistrimi i popullsisë, një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale

Prishtinë, 8 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën hapëse të Javës së Regjistrimit të Popullsisë, organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të ZKM-së, mbështetur nga UNFPA-Zyra në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë. .

‘’Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës e niveli i edukimit, janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato u mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave, e veçanërisht vendimmarrësve në nivelin lokal e qendror, por edhe donatorëve e investuesve të tjerë – orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Të dhënat, u shpreh kryeministri, na ndihmojnë të sigurojmë nivel më të lartë të transparencës dhe të llogaridhënies dhe se ato po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike.

Më tej, shtoi ai, të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 % të bruto produktit vendor, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti, kemi rritje mbi 4 për qind të bruto produktit vendor.

‘’Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave e politikave të informuara nga të dhënat’’, deklaroi kryeministri.

Kryeministri theksoi masat që janë marrë për të mbështetur qytetarët dhe bizneset, si dhe miratimin e projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro. Janë të dhënat ato që do të udhëzojnë ekzekutimin e këtij buxheti, bashkë me angazhimin e Qeverisë për t’i avancuar të gjitha aspektet që ndikojnë në jetën e qytetarëve në Republikën e Kosovës, tha ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)