29 Mars 2023

Kurti takoi drejtuesit e Postës së Austrisë, IV, Raiffeisenbank dhe Kapsch AG

Vjenë, 14 nëntor - Në kuadër të pjesëmarrjes së tij si folës kryesor në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati takime të ndara me Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum, Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International,  Johann Strobl, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch.

Zhvillimi i sektorit postar në Kosovë ishte në qendër të takimit të Kryeministrit Kurti me z.Peter Umundum, Drejtor i Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë. U theksua angazhimi drejt modernizimit të shërbimeve si dhe mundësitë për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike.

Me Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, Kryeministri Kurti foli për mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë të industrisë austriake me atë të Kosovës, si dhe potencialin e mërgatës, si urë lidhëse mes të dyja vendeve.

Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, në takimet e ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International,  Johann Strobl, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Kryeministri Kurti theksoi se krahas pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime.

Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale.

Në këto takime u theksuan arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave.

​

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)