29 Mars 2023

Kryeministri Kurti promovon Kosovën në Forumin Ekonomik Global Connect

Shtutgart, 15 nëntor - Në ditën e parë të qëndrimit të tij në Shtutgart të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik Global Connect 2022, ku mbajti edhe një fjalë rasti.

Ai i falënderoi organizatorët për ftesën dhe për mundësinë që i kanë dhënë Kosovës që të jetë pjesëmarrëse në këtë Forum.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti foli për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj dhe vlerat që ndanë me Bashkimin Evropian.

Ai tha se vendi ynë ka një qeveri demokratike dhe institucione të qëndrueshme që përbëjnë bazë të favorshme për investitorë që synojnë investime të qëndrueshme dhe kthim të tyre.

 Si një nga përparësitë e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti e veçoi kapitalin njerëzor. Me 2/3 e popullatës nën moshën 35 vjeçare, fuqi punëtore të talentuar dhe të motivuar dhe që flet gjuhë të huaja, Kosova paraqet një mundësi shumë të mirë për bizneset gjermane. Me këtë rast, ai u bëri ftesë përfaqësuesve të bizneseve që të vizitojnë Kosovën.

Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterët pa Kufij dhe Projekti i Drejtësisë Botërore dhe indikatorëve ekonomikë, kryeministri Kurti tha se qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe rritja ekonomike janë prioritete të dëshmuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti po ashtu vizitoi edhe shtandin e Republikës së Kosovës në këtë forum dhe përshëndeti përfaqësuesit e KIESA-s dhe Unionit të Bizneseve.

Global Connect është një forum ekonomik për eksport dhe ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve në Gjermani, të cilat janë të interesuara për zgjerimin e veprimtarisë së tyre kryesisht jashtë vendit.

Ai është forumi i vetëm i këtij formati në Gjermani dhe ofron mundësinë e ndërlidhjes së afaristëve dhe krijimin e kontakteve të reja.

Në kuadër të forumit, i cili po mbahet sot është dhënë mundësia që Republika e Kosovës të ketë shtandin e vet për të prezantuar mundësitë e saj për investitorët gjermanë dhe të tjerë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)