Komuna e Ferizajt vazhdon ta mbështesë krimin urbanistik
Ferizaj, 29 korrik - Me këtë deklaratë, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET dëshiron të njoftojë opinionin publik lidhur me mos përgjigjen e Komunës së Ferizajt në raport me ankesat dhe kërkesat e banorëve të lagjes Gëzim Sahiti dhe Rrjetit të OJQ-ve AVONET.
Gjatë një periudhe të gjatë, banorët e lagjes Gëzim Sahiti kanë paraqitur ankesa dhe kërkesa në lidhje me lejen ndërtimore pa bazë ligjore, të cilat prekin interesin e tyre të drejtëpërdrejtë dhe mirëqenien e përgjithshme të komunitetit. Megjithatë, ne jemi të shqetësuar për mungesën e përgjigjeve të Komunës së Ferizajt ndaj këtyre ankesave dhe kërkesave, duke shkelur rëndë dispozitat e Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Banorët dhe AVONET kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore duke përdorur mjetet juridike në kundërshtim të lejes ndërtimore të paligjshme në rrugën Gëzim Sahiti, mirëpo edhe pas kalimit të afatit ligjor Komuna e Ferizajt e udhëhequr nga Agim Aliu nuk ka kthyer përgjigjje në lidhje me ankesën në fjalë, me ç'rast kanë konsumuar institutin e heshtjes administrative.
Gjithashtu, në ankesat tona si kërkesë kryesore ka qenë pezullimi i lejes ndërtimore në fjalë, mirëpo edhe kjo ka hasur në vesh të shurdhur të Komunës së udhëhequr nga Agim Aliu. Kjo për ne është jashtëzakonisht shqetësuese, për faktin se tani më kemi precedente të qarta gjyqësore, të nxjerrura përmes Aktgjykimeve nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative, të cilët e sqarojnë (e zeza mbi të bardhë), se baza ligjore mbi të cilën po lëshohen lejet ndërtimore në fjalë është e paligjshme.
Mirëpo, në Komunën e udhëhequr nga Agim Aliu nuk dëshirojnë as të dëgjojnë për këto fakte, e që me veprimet e tyre po dëshmojnë se janë në shërbim të ndërtimeve të kundërligjshme në Ferizaj.
AVONET ju ka drejtuar edhe MAPL-së me kërkesë për ndërmarrjen e masave në lidhje me lejen ndërtimore në fjalë. Duke marrë parasysh përgjigjjen në kërkesë me nr. 02-559/1, të datës 05.07.2023 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në mes tjerash thuhet decidivisht se në bazë të mandatit ligjor , të përcaktuar me nenin 4, paragrafin 4, të Ligjit Nr. 03/L-40 për Vetëqeverisje lokale, komunat janë të obliguara të ju përgjigjen kërkesave dhe ankesave në format e përcaktuara me ligj. Në rastin në fjalë Komuna e Ferizaj e udhëhequr nga Agim Aliu nuk ka repektuar obligimet e veta ligjore, e gjitha kjo është manifestuar me mos transparencë dhe mos llogaridhënien nga ana e kësaj të fundit.
Në një shoqëri demokratike, transparenca dhe llogaridhënia janë vlera themelore për një qeverisje të mirë dhe për një komunikim efektiv mes qytetarëve dhe autoriteteve publike. Duke iu referuar këtyre parimeve, kërkojmë që Komuna e Ferizajt të japë përgjigje të shpejta, të plota dhe në përputhje me afatet ligjore, në lidhje me ankesat dhe kërkesat e paraqitura nga banorët e lagjes Gëzim Sahiti dhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET.
Për të arritur këtë, ne i inkurajojmë autoritetet komunale të zbatojnë me përgjegjësi procedurat administrative, të angazhohen në një komunikim të hapur dhe transparent me banorët dhe organizatat joqeveritare dhe të tregojnë përkushtim ndaj zgjidhjes së çështjeve që kanë impakt në jetën e qytetarëve.
Rrjeti i OJQ-ve AVONET mbetet i vendosur të përkrahë komunitetin dhe të veprojë për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e tij. Në këtë drejtim, ne kërkojmë që veprimet e Komunës së Ferizajt të jenë në përputhje me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe respektimin e ligjit