13 Nëntor 2024

Guvernatori Nurboja, mori pjesë në Samitin e Guvernatorëve në Mal të Zi

Prishtinë, 29 maj - Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të rajonit që po mbahet në Beçiç të Malit të Zi.

Temë diskutimi e këtij Samiti ishte: “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kohë të pasigurta të krizës së zgjatur gjeopolitike dhe ekonomike”.

Në këtë Samit u diskutua rreth përpjekjeve të bankave qendrore që përmes politikës monetare të ndikojnë në lehtësimin e inflacionit, efektet e masave të FED-it dhe BQE-së në politikat monetare të bankave qendrore në rajon, lehtësimi i pritjeve inflacioniste, pastaj rëndësia e veprimit të koordinuar të politikave fiskale dhe monetare në kohë krize.

Para të pranishmëve, Guvernatori Nurboja ka thënë se për shkak të shfrytëzimit të Euros si valutë zyrtare në Kosovë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i ka të kufizuara mundësitë e shfrytëzimit të instrumenteve të politikës monetare, dhe me këtë edhe të ngadalësimit të inflacionit në vend.

Derisa, një nga instrumentet kryesore të BQK-së për rritjen apo zvogëlimin e qarkullimit të sasisë së parasë në qarkullim është përmes rritjes apo zvogëlimit të rezervës së detyrueshme të likuiditetit të bankave.

Ai ka thënë se shuma e rezervave që aktualisht mbajnë bankat në Kosovë tejkalon shumën e kërkuar si rezervë e detyrueshme, që do të thotë se bankat nuk kanë vështirësi të përmbushin kërkesën për rezerva.

Tutje Guvernatori ka thënë se BQK-ja në vazhdimësi i ka kushtuar vëmendje shumë të madhe zhvillimit të kapaciteteve mbikëqyrëse.

“Duke e ditur se mbikëqyrja mikroprudenciale, si e vetme, nuk vlerësohet më e mjaftueshme për të parandaluar krizat bankare, ne kemi zhvilluar edhe kornizën e Politikës Makroprudenciale dhe kemi funksionalizuar Komitetin Këshillimor të Politikës Makroprudenciale, si organ bartës i politikës makroprudenciale."

"Përmes kësaj synojmë të ndërtojmë një kanal më të fuqishëm ndërveprimi ndërmjet mbikëqyrjes mikroprudenciale dhe asaj makroprudenciale, gjë që do të mundësojë zgjerimin e horizontit për vrojtimin e rreziqeve bankare dhe rritjen e instrumenteve në dispozicion për të siguruar stabilitetin financiar. Kjo është posaçërisht e rëndësishme kur kemi parasysh kufizimet e instrumenteve të politikës monetare që kanë rrjedhur nga eurizimi unilateral”, ka thënë Guvernatori Nurboja.

Sa i përket prioriteteve mbikëqyrëse, ai ka deklaruar se rreziku kreditor në sektorin bankar ishte dhe vazhdon të mbetet fusha kryesore e vëmendjes nga ana e BQK-së.

“Kemi forcuar shumë kontrollet e brendshme të bankave dhe gjithashtu janë adaptuar politikat dhe praktikat më të mira për t'u marrë me kreditë me probleme. Treguesi i kredive jo-performuese mbetet nivele të ulëta prej 2.0 përqind  me të dhëna të muajit prill 2023. Mbulueshmëria e kredive jo-përformuese me total provizione për humbjet nga kreditë mbetet në nivele të larta prej 147 përqind në fund të prillit 2023."

"Nuk kemi rritje të kërkesave për ristrukturim të kredive për shkak të vështirësive të kredimarrësve, si dhe nuk kemi rritje të vonesave në pagesën e kredive në nivel të sektorit bankar. Praktikat e mira të menaxhimit të rrezikut kreditor, qasja adekuate e provizionimit sipas SNRF 9, si dhe menaxhimi i kredive me vonesa, mbeten faktorët kryesor për të ruajtur kualitetin e mirë të kredive në sektorin bankar. Andaj, rreziku kreditor i bankave duhet të vazhdoj të jetë në fokus të BQK-së dhe të monitorohen për së afërmi zhvillimet dhe trendi i kualitetit të mjeteve në sektorin bankar”.

Gjatë këtij Samiti, U.d Guvernatori Nurboja, ka zhvilluar takime me Guvernator të bankave qendrore të rajonit dhe më gjerë, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.

Samiti Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore do të mbahet në datat 29 dhe 30 maj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)