Gjermania miraton ligj të ri për të tërhequr punëtorë të kualifikuar
Bernë, 23 qershor - Parlamenti gjerman miratoi një ligj të ri për imigracionin në një përpjekje për të tërhequr më shumë punëtorë të kualifikuar.
Koalicioni i socialdemokratëve SPD, të gjelbërve dhe liberalëve nga partia FDP dëshiron të tërheqë më shumë punëtorë nga vendet që nuk janë anëtarë të BE-së për të lehtësuar mungesën e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani.
Projektligji mori 388 vota pro, ndërsa 234 ligjvënës votuan kundër dhe 31 abstenuan.
Një nga veçoritë e reja në projektligj është e ashtuquajtura “karta e mundësive” për emigrantët bazuar në sistemin e pikëve. Kriteret për të cilat jepen pikë përfshijnë aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, moshën dhe lidhjen me Gjermaninë.
Në të ardhmen, specialistëve të huaj të IT-së do t'u lejohet gjithashtu të vijnë në Gjermani pa diplomë universitare, me kusht që të dëshmojnë se kanë kualifikime të caktuara.
Gjithashtu do të bëhet më e lehtë për azilkërkuesit që kanë hyrë në vend përpara datës 29 mars 2023, të cilët kanë punësim të kualifikuar.
Megjithatë, elementi qendror i ligjit është mbetja në fuqi e Kartës së Kaltër të BE-së, e cila është krijuar në Gjermani që nga viti 2012. Bëhet fjalë për një leje qëndrimi për persona nga vende që nuk janë anëtarë të BE-së, e që kanë diplomë universitare.
Pas miratimit të ligjit në parlament, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, theksoi se me reformën e punëtorëve të kualifikuar, Gjermania po krijon kushtet për të tërhequr punëtorët më të mirë nga jashtë.
Ajo u shpreh se ky është “ligjin më modern i imigracionit në botë”, duke shtuar se i njëjti do të siguronte prosperitet në Gjermani.