22 Dhjetor 2024

Dhjetra biznese me emërtime kundërkushtetuese, MINT inicon kallëzime penale

Prishtinë, 1 gusht - Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe përfaqësuesve të kompanive lidhur me shkeljet e bëra gjatë regjistrimit në këtë agjenci.

Kështu bëri të ditur MINT përmes një njoftimi për media ku publikoi fjalimin e plotë të ministres Hajdari.  

Hajdari tha se përveç kallëzimeve penale kanë nisur edhe procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të ARBK-së.

Ministrja Hajdari tha se shkeljet janë gjetur nga Komisioni për riverifikimin e dosjeve në ARBK. Sipas saj, nga 10 deri më 19 korrik, ky komision ka verifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, dhe ka gjetur se 48 dosje kanë pasur emërtime kundërkushtetuese “ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: "Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia", "Pejë – Republika e Serbisë", "Gjilan – Serbia" "Gjakovë – Republika e Serbisë" etj”.

Për shkak të këtyre shkeljeve, Hajdari tha se më 31 korrik, janë shfuqizuar certifikatat e pesë bizneseve që kishin emërtime antikushtetuese.

“ARBK do të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ndërkaq, duke folur për rastin e televizionit Klan Kosova, ministrja Hajdari tha se pezullimi i certifikatës së biznesit të këtij televizioni “nuk kishte fare për qëllim që ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm që t’i zbatojë kërkesat legjitime të Kushtetutës dhe ligjeve”.

“Pra, qëllimi i vetëm i procesit administrativ të ARBK-së, në rastin e Klan Kosovës Sh.P.K. dhe bizneseve tjera që janë identifikuar, ka qenë zbatimi i ligjit, as më shumë, as më pak”, tha ajo.

Më 31 korrik, punonjësit medialë kanë protestuar në Prishtinë lidhur me rastin e shfuqizimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, që mund të çojë në mbylljen e këtij televizioni kombëtar privat.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë - Serbia dhe Gjakovë - Serbia”.

Pas kësaj, ARBK-ja ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës".

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhej në njoftimin e Klan Kosovës.

MINT më 31 korrik tha se komisioni i tij e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)