22 Mars 2023

Bruto Produkti Vendor shënon rritje reale për 3.55 për qind

Prishtinë, 15 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2022, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.

BPV-ja në TM4 2022 shënon rritje reale për 3.55%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2021).

Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Industria përpunuese (12.52%); Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (11.53%); Aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (8.71%); Industria nxjerrëse dhe përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi (7.93%); Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (6.16%); Informacioni dhe komunikimi (5.94%); Artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vetë dhe shërbime të tjera (5.41%); Bujqësia, pyjet dhe peshkimi (3.35%); Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.76%); Administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (0.53%).

Ndërsa, aktiviteti ekonomik, që shënoi rënie në këtë tremujor ishte: Ndërtimtaria (-11.81%).

Ndërkaq, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: Shpenzimet e konsumit final (1.00%); dhe Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (9.54%).

Ndërsa, rënie kishte: Importi i mallrave dhe shërbimeve (-4.96%); Formimi i bruto kapitalit (-8.78%); dhe Shpenzimet e Qeverisë (-0.48%).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)