BE-ja ka përkrahur minierën e Stantërgut me 1.6 milion euro
Prishtinë, 10 shkurt - Zyra ndërlidhëse e KE-së shënoi të mërkurën përmbylljen e suksesshme të dy projekteve të financuara nga BE-ja me rreth 1.6 milion në minierën e Stantërgut, e cila i përket kompleksit të minierave të Trepçës.
Ofrimi i pajisjeve dhe i punëve ndërtimore në minierë e realizuar me ndihmën e fondeve të BE-së, bëri të mundur stabilizimin e brendësisë së minierës duke i plotësuar hapësirat e zbrazëta të shkaktuara nga eksploatimi i vazhdueshëm i xeheve.
Këto dy projekte u vlerësuan nga autoritetet e Trepçës të jenë me urgjencë të jashtëzakonshme dhe të detyrueshme për tu realizuar në mënyrë që të krijohen kushtet për prodhim normal dhe ambient të sigurt pune në minierën e Stantërgut.
Projektet që përfshijnë ofrimin e kamionëve për transport të hirit atmosferik nga termocentrali i Korporatës Elektrike të Kosovës dhe instalimi i pajisjeve për përpunimin e tij do të rrisë në masë të konsiderueshme stabilitetin e minierës dhe do të përmirësojë kushtet dhe ambientin e punës. Përveç kësaj, ato do të mundësojnë eksploatimin e mëtutjeshëm të xeheve që do të shtojë prodhimin dhe do të krijojë vende të reje pune në të ardhmen.
Projektet e financuara nga BE-ja, të realizuara që prej janarit 2008, janë pjesë e programit në vlerë prej 5 milionë për përkrahjen e hapjes së vendeve të reja të punës në rajonin e Mitrovicës përmes komunave dhe ndërmarrjes shoqërore të Trepçës.
Ky program ka ofruar mbështetje infrastrukturore për komunën e Mitrovicës dhe të Zveçanit ( 2.5 milionë) dhe përkrahjen e Trepçës përmes këtyre dy projekteve në minierën e Stantërgut si dhe një projekti për përtëritjen e rafinerisë së plumbit në Zveçan ( 1 milion).