31 Maj 2023

ATK mban seminar me tatimpagues nga sektori i bujqësisë

Prishtinë, 21 mars - Administrata Tatimore e Kosovës ka vazhduar ciklin e seminareve me tatimpagues, ku këtë herë ka mbajtur seminar për tatimpaguesit nga sektori i bujqësisë dhe blegtorisë. Përveç prodhuesve bujqësor dhe fermerëve, të pranishëm në këtë seminar ishin edhe përfaqësues nga Shoqatat e fermerëve dhe prodhuesve në Kosovë.

Qëllimi i këtij seminari ishte informimi i kësaj kategorie të tatimpaguesve me obligimet e tyre tatimore sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës.

Më konkretisht, përmes këtij seminari u ofruan sqarime të detajuara se si dhe kur bujqit, fermerët, etj. kërkohet të përmbushin detyrimet tatimore, si dhe kur konsiderohet se bujqit, fermerët, etj. zhvillojnë aktivitet ekonomik, si dhe kërkohet të regjistrohen si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Në këtë seminar janë ofruar edhe shembuj për të bërë më të mundur të kuptuarit e drejtë të të gjitha temave të prezantuara.

Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesi i seminarit dhe panelistët tjerë nga ATK.

Seminari është prezantuar nga znj. Valbona Jakupi - Zyrtare e lartë tatimore, gjegjësisht Këshilltare për TAP në Departamentin për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 maj 2023

- Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Deutsche Welle, mbajnë konferencën përmbyllëse të ciklit të dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes”. (Salla e Konferencave “Orion”, ora 9:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektëligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shënon Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. (Ndërtesa e Institutit, ora 10:00)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të ndërmarrë aksion për shkyçje në tri objekte banesore në Prishtinë. (Nisja e organizuar nga objekti i KRU “Prishtina”, Emshir, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla salla C 301, ora 11:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

- Promovohet libri "E vërteta e aktorit" e autorit Naim Berisha. (Amfiteatri i Bibliotekes Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mban konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri. (Selia e LDK-së te Qafa, ora 13:30)