ATK konfiskon pajisjet jo fiskale
Prishtinë, 16 qershor - Me qëllim të verifikimit të bizneseve nëse janë
duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponit fiskal,
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se si çdoherë edhe
këto ditë është përqendruar te tatimpaguesit, tek të cilët kërkohet të
fiskalizohen, por nuk janë të pajisur me PEF/SF, tek ata tatimpagues që
janë të pajisur me PEF/SF, por nuk lëshojnë kuponë fiskal, si dhe tek
ata tatimpagues që lëshojnë kuponë jo-fiskal dhe përdorin pajisje
jo-fiskale.
Aktivitetet në teren janë duke u zhvilluar te ato biznese, për të cilat ATK ka pranuar informacione se nuk janë duke lëshuar kuponë fiskal, tek të cilat më pas është konstatuar përdorimi i printerit jo-fiskal. Për secilin rast janë lëshuar gjoba, vlera e këtyre gjobave është 13 mijë euro. Gjithashtu, janë konfiskuar pajisjet jo-fiskale, si dhe do të iniciohen Kallëzime Penale.
Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal.
Disa nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, etj., nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK u bënë thirrje që të pajisen me PEF/SF dhe të lëshojnë kuponë fiskal.
Administrata Tatimore e Kosovës inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t'i përgjigjen në mënyrë të saktë kërkesave ligjore, në të kundërtën do të aplikohen ndëshkimet administrative ashtu siç janë përcaktuar me legjislacionin tatimor.