Turqia dhe Kosova zotohen për realizimin e marrëveshjes për sektorin pyjor
Prishtinë, 1 qershor - Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar mes Kosovës dhe Turqisë në sektorin e pylltarisë, një delegacion nga Drejtorati i Përgjithshëm i Pyjeve të Turqisë po qëndron në vizitën e parë zyrtare në Kosovë.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite është identifikimi i prioriteteve dhe fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur.
Delegacioni turk i udhëhequr nga Murat Çevirme, drejtor i Departamentit për Menaxhim dhe Planifikim të Pyjeve u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerim Hasani, i cili pasi u uroi mirëseardhje delegacionit, i njoftoi me politikat e ndërmarra nga MBPZhR-ja të cilat kanë për qëllim avancimin e sektorit të pylltarisë.
“Ne si institucion jemi të gatshëm në zbatimin e kësaj marrëveshje mes dy vendeve mike siç janë Kosova dhe Turqia. Andaj, shpreh gatishmërinë e plotë të Ministrisë për zbatimin e saj”, shtoi z. Hasani.
Ai, gjithashtu e njoftoi delegacionin turk për miratimin e Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2021-2030, përgatitjen e Ligjit të ri për Pylltari dhe krijimin e Task Forcës për Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve.
Ndërsa, Drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, prezantoi me këtë rast para delegacionit turk për resurset pyjore në Kosovë, sfidat dhe zhvillimet në këtë sektor.
Gjithashtu, delegacionin turk e priti në takim edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha, i cili i njoftoi mysafirët me gjendjen dhe problemet aktuale të sektorit të pylltarisë. Kryeshefi Hoxha tha se ndarja e përgjegjësive për menaxhimin e pyjeve mes APK-së dhe komunave ka krijuar vështirësi në zbatim të legjislacionit, por shfaqi shpresën që ky problem do të rregullohet me Ligjin e ri të Pylltarisë i cili tashmë është miratuar në Qeveri dhe është proceduar në Komisionin Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
“Gjatë vizitës në Turqi, të realizuar vitin e kaluar, ne kemi vërejtur që ju keni modele shumë të suksesshme të menaxhimit të pyjeve, prandaj presim mbështetjen tuaj për menaxhimin të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve, në kuadër të marrëveshjes së përbashkët që kemi nënshkruar”, tha z. Hoxha.
Delegacioni turk gjatë qëndrimit në Kosovë do të realizojë edhe vizita në terrenet pyjore, në sektorin privat, në Institutin e Pylltarisë, në Fidanishten Pyjore, si dhe në vendgjuetinë me rëndësi të veçantë në Blinajë.