Therja e kafshëve nëpër rrugë problem për AUVK-në
Prishtinë, 28 tetor - Therja e kafshëve nëpër rrugë pa kontroll, lejet e importit për produkte me prejardhje shtazore dhe disa probleme tjera i debatuan sot shoqata e prodhuesve, përpunuesve dhe importuesve të produkteve me prejardhje shtazore, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe shefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci.
Përfaqësues të thertoreve shfaqën shqetësimin se konkurrenca jo e mirëfilltë është duke i dëmtuar dhe therja nëpër tregjet ilegale.
Kryetar i shoqatës prodhuesve dhe përpunuesve të mishit, Burim Piraj tha se për import të produkteve duhet të plotësohet dokumentacion për sasinë e produktit që do të importohet dhe Dogana për aq sasi do të jap leje importi. Nuk mund të japë më shumë se sa që është kërkuar. Nuk ka kompromis për këto produkte por do të ketë kontroll dhe kemi bashkëpunim të mirë me AUV-në, tha ai.
Ndërsa shefi i AUV-së, Valdet Gjinovci tha se të gjitha problemet që u shfaqen nga prodhuesit dhe përpunuesit do të shqyrtohen dhe do të formohet një grup punues për rregullimin e këtyre problemeve dhe krijimin e lehtësirave. Ai tha se nuk janë kundër zhvillimit të bizneseve, por kërkojnë cilësi. Duhet të respektohen rregullat. Nuk është më viti 2003 as 2006, tash jemi në 2010 dhe kontrolli do të jetë i rreptë dhe dokumentacioni duhet të plotësohet në bazë të rregullave që kërkohen. Unë jam shumë i interesuar të punojë me të gjithë, por në asnjë mënyrë që të ketë mish të prishur në tryezën e konsumatorëve që vjen nga shtetet e largëta, tha ai.
Sipas Gjiovcit të gjithë faktorët ndërkombëtarë janë duke i vëzhguar për punën e tyre dhe sipas tij, asnjëherë nuk do të ketë kompromise.
Ndërsa për zgjedhjen e këtij problemi Berat Rukiqi, sekretar i OEK-ut, tha se janë të gatshëm tu ndihmojnë, ai ka pohuar se në mënyrë individuale nuk mund të zgjidhet asgjë vetëm përmes shoqatave në mënyrë kolektive.