29 Mars 2023

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

Prishtinë, 21 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve e cila do të mbahet në Parkun Nacional në Blinajë të Lipjanit.

Të pranishëm në këtë organizim do të jenë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Tomáš Szunyog, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, Udhëheqës i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Ëigemark, Ushtruesja e detyrës së Koordinatores për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, Maria Suokko, etj.

Po sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve shfaqet edhe dokumentari “Run for Sharr”, i cili për herë të parë po jepet para publikut të gjerë.

Në këtë dokumentar alpinistja dhe vrapuesja e njohur, Uta Ibrahimi, shpërfaq bukurinë, por edhe dëmtimin e malit Sharr, i cili po përballet me shumë probleme serioze si prerjet ilegale, zjarret, degradimi i parevokueshëm i florës, si dhe humbja e faunës përmes gjuetisë pa leje.

Pas shfaqjes së dokumentarit pason një debat për çështje mjedisore me këta panelistë: Uta Ibrahimi, Bajram Kafexholli, Drejtor, Drejtoria e Parkut Kombëtar “Sharri”, Fatmir Morina, Drejtor, Drejtoria e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe Azem Ramadani, Drejtor i OJQ-së për mbrojtjen e natyrës “Finch”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)