29 Maj 2023

Programi i Pagësave Direkte 2023 u dedikohet bujqve që punojnë tokën

Prishtinë, 17 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë ditës vizitoi fermerët Gazmend dhe Ridvan Emini nga fshati Ribar i Vogël i komunës së Lipjanit, të cilët konsiderohen shembull pozitiv i kontributit për atdheun, pasi gjithë investimin nga puna në mërgim e kanë investuar në Kosovë, duke ngritur fermën në të cilën mbarështojnë e rrisin nga 150 deri në 400 viça për majmëri.

Ministri i BPZhR-së, Faton Peci i përgëzoi vëllezërit Emini për punën dhe kontributin e tyre dhe të njëjtit i njoftoi me risitë e Programit për Pagësa Direkte për këtë vit, duke thënë: “Duhet ta theksojmë se Programi për Pagesa Direkte / Subvencione 2023, përmes Udhëzimit Administrativ qartëson dedikimin e këtyre mjeteve financiare për bujqit që punojnë tokën, edhe në rastet kur atë tokë e marrin me qira. Thënë ndryshe mbështetja financiare është e dedikuar për bujqit që investojnë djersë e mund e jo për pronarët e tokave / qiradhënësit”, theksoi Ministri Peci.

Ajo çka i veçon Gazmendin e Ridvanin në këtë aktivitet blegtor është vendimi që së bashku nga Zvicra, të investojnë në vendlindje me një infrastrukturë të kompletuar bujqësore, në shtallë moderne sipas standardeve e mekanizëm bujqësor.

Krahas aktiviteteve në fermë, njëherit kultivojnë rreth 100 hektarë me grurë e misër.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)