21 Dhjetor 2024

Para syve të institucioneve është zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë

Prishtinë, 11 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka treguar se para disa muajsh ka kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Peci në profilin e tij ka shkruar se të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori.

Ai më tej shtoi se fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave.

“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë është zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë”, tha Peci.

Ministri i Bujqësisë, theksoi se ka tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste. Operatorët ekonomikë / palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës.

Sipas Pecit,  rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të Komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

“Ditëve në vijim do të marrim të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”, tha ministri.

Ai më tej shtoi se në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë çështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të komunave në këtë rast në Komunën e Prishtinës dhe Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike siç janë:

E drejta pronësore dhe juridike. Mënyra se si janë pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës.

“Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e çertifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës”, tha ministri.

Ai pyet se ku ishte inspektorati i ndërtimit i Komunës së Prishtinës që edhe sot që po e shkruan këtë postim/denoncim, në bazë të informacioneve po vazhdojnë punimet e kundërligjshme në pronën e Ministrisë së Bujqësisë.

Ministri pyet se kush mund të lëshojë me qira pronën e Ministrisë së Bujqësisë pa aprovimin e titullarit të pronës.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”, tha Peci.

Ministri i Bujqësisë duke i’u drejtuar qytetarëve, theksoi se çdo mëngjes e rikthen në mbamendje mbi çfarë zotimesh ka marrë numër të madh të votave të besimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Andaj, me guximin më të madh do të jem në shërbimin tuaj dhe në shërbim të vendit deri në ditën e fundit të mandatit dhe deri në frymen e fundit të jetës sime, për faktin e thjeshtë, sepse, unë e dua Kosovën”, tha ministri i Bujqësisë Faton Peci.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)