29 Maj 2023

Nga qershori 10 milionë euro grant për sistemin e ujitjes

Prishtinë, 17 maj - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mirëpriti në takim Drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Massimiliano Paolucci, me të ç’rast bashkëbiseduan rreth mundësive të thellimit të bashkëpunimit të cilat kanë për synim ngritjen e kapaciteteve bujqësore të vendit përmes investimeve në ujitje.

Gjatë këtij takimi, Ministri Peci tha se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerë vendorë e ndërkombëtarë për të zbatuar projekte dhe iniciativa të përbashkëta që për qëllim kanë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Me qëllim që t'i adresojmë në mënyrë sa më efikase sfidat e sektorit, Banka Botërore si një partner i rëndësishëm vijon ta mbështes vendin tonë nëpërmjet instrumenteve financiare dhe asistencës teknike, me ç’rast kam kënaqësinë që së shpejti përmes fondeve të Bashkimit Evropian dhe partnerit implementues; Bankës Botërore do ta nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për një grant të ri në vlerë prej 10 milionë euro për investime në ujitje”, tha mes tjerash Ministri Peci.

Nga ana e tij, z. Paolucci përshëndeti angazhimin e Ministrit Peci në orientimin e politikave zhvillimore për arritjen e objektivave të tij strategjike për avancimin e sektorit bujqësor në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)