29 Mars 2023

Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Prishtinës bashkëpunojnë në sektorin pyjor

Prishtinë, 13 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi, përmes të cilit synohet realizimi i projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta që për qëllim kanë mbrojtjen e  sektorit pyjor.

Ky Memorandum është nënshkruar nga Ministri Faton Peci dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama gjatë një takimi që realizuan sot, me ç’rast vlerësuan se bashkëpunimi në mes të nivelit qendror dhe atij lokal është tejet i rëndësishëm në mbrojtjen e këtij sektori.

 “Jemi angazhuar që me politikat e duhura pyjore resurset pyjore të Kosovës t’i vendosim si një prioritet kombëtar, të cilat janë edhe një potencial i madh për zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes kemi hartuar dhe miratuar Strategjinë për Pylltari 2022 – 2030, e cila adreson politikat kryesore të sektorit dhe zbatimin e tyre për 10 vitet e ardhshme, si dhe kemi avancuar agjendën legjislative duke përpiluar dhe miratuar në Qeveri - Ligjin për Pyje. Po ashtu, kemi themeluar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve”, ka thënë Ministri Peci.

Po ashtu, gjatë këtij takimi Ministri Peci dhe Kryetari Rama janë dakorduar që të shohin edhe mundësi të reja bashkëpunimi mes të dyja niveleve, me qëllim që të avancojnë dhe fuqizojnë sektorin e bujqësisë në këtë komunë përmes ndarjes së të dhënave, inspektimit gjatë implementimit të programeve mbështetëse të MBPZhR-së, pasqyrimin e qartë të pronave dhe tokave bujqësore dhe forcimin e zinxhirit të bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe qendror.

Ndryshe, përmes këtij Memorandumi, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia e Pyjeve të Kosovës së bashku me Komunën do të realizojnë mbjelljen e fidanëve në hapësirat e liruara, si dhe shumë aktivitete tjera që për qëllim kanë  mbrojtjen e sektorit pyjor në Komunën e Prishtinës.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)