Ministri Stavileci vizitoi veriun e Kosovës
Prishtinë, 25 tetor - Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë se Bujqesisë, Pyllltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Zyrës së Koordinatorit për Strategjinë e Veriut të Kosovës, ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, së bashku me koordinatorin e Strategjisë për Veriun e Kosovës Ylber Hysa, ishin sot për vizitë në fshatin Hrvatska të komunës së Leposaviçit.
I mirëpritur nga banorët e këtij fshati, ministri Stavileci tha se në kuadër të politikave për mbështetjen financiare të fermerëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, sot kemi ardhur për vizitë edhe në këtë fshat të komunitetit boshnjak dhe të komuniteteve tjera për të shikuar nga afër jetën e banorëve, problemet me të cilat ballafaqohen, si dhe për tiu ofruar mbështetjen tonë fermerëve të kësaj ane.
Po fillojmë me subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella me kulturën e grurit dhe me subvencionimin e kulturës së qepëve dhe hudhrave, mirëpo u dakorduam me banorët e kësaj ane që tani e pas të aplikojnë në të gjitha projektet që MBPZHR-ja i realizon për zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, tha ministri Stavileci, duke potencuar se MBPZHR-ja për mbështetjen e fermerëve të këtyre pesë fshatrave në veriun e Kosovës ka ndarë 15 mijë euro.
Nga kjo shumë financohen të mbjellat e rreth 50 hektarëve grurë në pesë fshatra të komunës së Leposaviçit, si dhe do bëhet përgatitja e tokës edhe për mbjelljen e hudhrave dhe qepëve nga fermerët e kësaj ane, tha Stavileci, duke shtuar se për MBPZHR-në është e rëndësishme që çdo pëllëmbë e tokës bujqësore, në tërë territorin e vendit tonë të punohet.
Jemi këtu që tu ndihmojmë edhe këtyre fermerëve, të cilët janë pjesë e vendit tonë dhe janë të integruar në shoqërinë tonë, por për arsye të ndryshme nuk janë mbështetur deri me tani, përfundoi ai.
Fermeri Śefko Salkoviƈ, tha se janë shumë të kënaqur për vizitën e ministrit të Ministrisë së Bujqësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe përkrahja nëpërmjet subvencioneve është shumë e mirëpritur për ta.E gjithë popullata e komunitetit boshnjak që banon në këto pesë fshatra është shumë e kënaqur me këtë mbështetje të institucioneve të vendit tonë dhe shpresojmë që hapa të ngjashëm të marrin edhe ministra tjerë të Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, Koordinatori për Strategjinë e Veriut të Kosovës, Ylber Hysa, tha se gatishmëria e këtij komuniteti nuk është diçka që e hasim shpesh, ngase banorët e këtyre fshatrave prej vitit 1999 kanë qëndruar këtu, me bindjen dhe deklarimin e qartë se i përkasin shtetit të Kosovës, i kanë respektuar institucionet e vendit dhe vazhdimisht kanë dalur në zgjedhje.
Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me këtë komunitet, por gatishmëria e Ministrisë së Bujqësisë dhe kjo që po ndodh sot këtu është dëshmi për punën që po përpiqemi të bëjmë, për ta konkretizuar integrimin. Besojmë që integrimi është i tillë, pikërisht siç po e shohim të gjithë këtu dhe jo vetëm apstrakt ose deklarativ, tha z. Hysa, duke shtuar më tej se bashkarisht me banorët e këtyre fshatrave jemi duke punuar edhe për rregullimin e dokumentave të shtetit të Kosovës.
Përgjegjësinë për implementimin e këtij projekti, do ta ketë Zyra e Koordinatorit për Strategjinë e Veriut, e cila obligohet ta informoj dhe ti raportoj me shkrim MBPZHR-së për kriteret e përzgjedhjes së përfituesve, për kontrollet teknike të kryera në terren, listen e përfituesve, si dhe për shpenzimet e mjeteve financiare.