Ministri Peci premton përkrahje për bujqit
Prishtinë, 8 tetor - Përpos mbështetjes financiare, bujqit kanë nevojë edhe për mbështetje morale e të cilën Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në vazhdimësi po u ofron.
Sot gjatë ditës Ministri Peci qëndroi për vizitë në fshatin Domanek të Drenasit ku u prit nga bujqit e këtij fshati shumica e të cilëve veçse ishin duke zhvilluar aktivitetin e tyre bujqësor.
Me këtë rast, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci i njoftoi se procesi i vlerësimit të aplikacioneve për Programin për Pagesa Direkte për këtë vit është drejt përfundimit dhe se nga java e ardhshme do të bëhen të ditur edhe përfituesit në kuadër të këtij programi.
“Bujq të tillë, të vyer ka në të gjithë Kosovën, e unë si Ministër do të vazhdoj që të punoj në të mirë të sektorit të bujqësisë, duke i trajtuar këta bujq me dinjitet ashtu siç edhe e meritojnë”, u shpreh pas këtyre vizitave Ministri Peci.
Familjet të cilat i vizitoi Ministri Peci kultivonin lloje të ndryshme të kulturave bujqësore, secila më me potencial se tjetra, siç janë: grurë, misër, lajthi, gështenja, arra, etj. për të cilat Ministri premtoi se do të vazhdojmë t’i përkrahim.
Ndërsa, nga ana tjetër bujqit nga fshati Domanek e njoftuan Ministrin se falë rritjes së mbështetjes financiare përmes Programit për Pagesa Direkte, do të dyfishojnë sipërfaqet me të mbjellat vjeshtore e pranverore.