Me investimet e MBPZhR-së do të avancohet sektori bujqësor
Mitrovicë, 1 prill - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes intensifikimit të bashkëpunimit me nivelin lokal synon krijimin e politikave zhvillimore të implementueshme e frytdhënëse për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë.
Gatishmërinë për këtë bashkëpunim e ka konfirmuar edhe njëherë Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, me ç’rast është takuar me Kryetarin Bedri Hamza.
Gjatë këtij takimi të dy u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit mes nivelit qendror dhe atij lokal me qëllim të konsolidimit të sektorit të bujqësisë.
“Do të intensifikojmë bashkëpunimin mes nivelit qendor dhe lokal qoftë për investimet në projektet e sistemit të ujitjes, zhvillimit rural dhe në projektet tjera për avancimin e sektorit bujqësor në këtë rajon."
"Njëherit kërkova nga Kryetari Hamza bashkëpunim në monitorim dhe kontroll gjatë implementimit të programeve tona mbështetëse, si dhe ndarjen e të dhënave dhe statistikave nga Drejtoria e Bujqësisë me qëllim që të krijojmë politika zhvillimore, të implementueshme e frytdhënëse”, theksoi Ministri Peci gjatë këtij takimi.
Ndryshe, gjatë ditës Ministri ka vizituar edhe fermerët e Komunës së Mitrovicës së Jugut, me ç’rast është njoftuar me ecurinë e veprimtarive bujqësore në këtë pjesë dhe është njoftuar për së afërmi me sfidat me të cilat përballen këta fermerë.
Gjatë kësaj vizite Ministri i ka njoftuar ata me mundësitë që ofrojnë programet e ministrisë për këtë vit, si dhe i njoftoi që kanë rritur përkrahjen për shumicën e kulturave bujqësore përmes subvencioneve.