29 Maj 2023

Me 1 milion euro është përkrahur sektori i frutave manore përmes granteve

Prishtinë, 17 maj - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në Forumin e parë të boronicës në Kosovë, në të cilën të pranishëm ishin edhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare nga USAID-i, GIZ-i gjerman, përfaqësues të institucioneve bankare e fermerë të shumtë, ku patën rastin të diskutojnë për progresin e deritanishëm të sektorit të frutave të imta e veçanërisht boronicës.

Ministri Faton Peci, tha se boronica përfaqëson 16% të eksporteve të pemëve malore, të cilat në vitin 2022 kapën vlerën prej 8.3 milionë eurosh, i cili ishte i orientuar kryesisht për tregun evropian, ndërsa premtoi se ministria që ai drejton do të vazhdoj ta përkrahë këtë sektor.

“Ne e kemi rritur përkrahjen për kulturën e boronicës, ku përmes Programit për Pagesa Direkte - Subvencione mbështetja për fermerë këtë vit është rritur për 26% krahasuar me vitin 2021."

"Ministria është në proces të përgatitjes së Programit për Zhvillim Rural për vitin 2023, dhe si pjesë e programit është edhe kultivimi i pemëve manore, kjo pasi aktualisht janë 25 hektarë të reja me boronicë që po ngriten falë mbështetjes së Ministrisë përmes Programit për Zhvillim Rural 2022”, tha Ministri Peci duke potencuar se pemët malore në përgjithësi, por boronica në veçanti paraqet një prej 9 sektorëve me potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës.

Pas konferencës, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci vizitoi kultivuesin e boronicës nën serë, Muharrem Aliun i cili pret që nga java tjetër t'i plasoj në treg boronicat e para nga plantacioni i tij.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)