MBPZHR synon politika dhe masa të duhura bujqësore për çdo regjion të vendit
Prishtinë, 27 maj - Me avancimin e bashkëpunimit në mes nivelit qendror dhe atij lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) synon krijimin e politikave të duhura zhvillimore bujqësore, duke krijuar kështu kushte të favorshme për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë në çdo regjion të vendit.
Për të diskutuar dhe konkretizuar bashkëpunimin e tillë sot gjatë ditës Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka takuar Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe atë të Komunës së Istogut, Ilir Ferati, me ç’rast është njoftuar nga këta të fundit për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në këto komuna.
“Përmes takimeve të tilla dhe vizitave në terren po njihem edhe me gjendjen e përgjithshme të zhvillimit të sektorit të bujqësisë, blegtorisë dhe pylltarisë në çdo rajon, si dhe me sfidat dhe problemet me të cilat përballen fermerët në vend."
"Në këtë mënyrë po krijojmë një pasqyrë të gjendjes së sektorit nëpër çdo rajon të vendit dhe po krijojmë mundësitë që të ndërmarrim masa adekuate për të krijuar kushte më të mira, më të favorshme dhe më të përshtatshme për punë për të gjithë bujqit në vend”, ka theksuar Ministri Peci.
Të dy kryetarët e falënderuan Ministrin për gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit me nivelin lokal, si dhe për zgjatjen e afatit të aplikimit për subvencione, gjë e cila sipas tyre është mirëpritur nga fermerët e këtyre komunave.
--