29 Maj 2023

MBPZhR fillon procedurën e kontrollës në terren për subvencionet

Prishtinë, 21 maj - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci nën shoqërimin e Kryeshefes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Venera Çerkini dolën në terren për të parë nga afër ecurinë e punës së inspektorëve të AZhB-së të cilët nga dita e sotme kanë filluar inspektimin e kulturave bujqësore tek fermerët aplikues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023.

Vizita u realizua tek fermeri Jeton Statovci në fshatin Cërillë i komunës së Ferizajt i cili i njoftoi të pranishmit për kulturat të cilat ai i ka kultivuar. Z. Statovci tha se është i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga Ministria e Bujqësisë dhe falë kësaj mbështetje, ai ka arrit t’i mbjellë afër tetë hektarë grurë.

Nga ana e tij, Ministri Peci u shpreh se me lehtësimin e formës për aplikim për subvencione, duke i thjeshtëzuar në tërësi procedurat për aplikim, viti 2023 është viti rekord i të mbjellave në territorin e Kosovës dhe ky rekord i të mbjellave duhet të shoqërohet edhe me rekordin e inspektimeve.

“Kemi dëshmuar se përmes qeverisjes sonë, cak kemi vetëm bujkun që ia bën mundin tokës së tij. Objektivat që i vendosëm në fillim të mandatit, i tejkaluam në gjysmë të tij, e kështu po hapim rrugë të reja drejt sigurimit të mirëqënies së fermerëve."

"Përmes punës sonë, duke rritur  përkrahjen për të gjitha kulturat bujqësore, blegtorale e pemëtare, ne vazhdojmë çdo ditë me synimin e vetëm, e që është zhvillimi i sektorit të bujqësisë në vend”, tha mes tjerash Ministri Peci.

Tutje, Ministri i BPZhR-së, Faton Peci tha se këtë vit kontrolla në terren do të realizohet në masën 100% për kulturat bujqësore dhe aplikuesit në Programin për Pagesa Direkte / Subvencione 2023.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)