Kryeministri Kurti vizitoi Panairin ndërkombëtar të agrobiznesit dhe ushqimit
Kryeministri Kurti vizitoi stendat e prodhuesve vendor dhe bisedoi me ta për rritjen e prodhimtarisë, rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore, potencialin për zhvillim të mëtejmë dhe depërtimin në tregje ndërkombëtare.
Ai ritheksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nisma që promovojnë sektorin agro ushqimor dhe rrisin mundësitë e fuqizimit ekonomik në sektorin e bujqësisë.
Përfaqësuesit e agro-bizneseve biseduan me kryeministrin për mundësitë që panairi ofron për rrjetëzim dhe bashkëpunime mes agro-bizneseve vendore me ato të vendeve të rajonit, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat.
Së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Zëvendësministrin Imri Demelezi, Kryeministri Kurti theksoi synimet e Qeverisë për ta transformuar ekonominë agro-rurale, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme dhe konkurrente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Me këto synime, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, ka planifikuar mbi 52 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale, ku nga këto veçse kanë përfunduar pagesat në vlerë prej rreth 42 milionë euro. Ndërsa janë ndarë mbi 26 milionë euro në kuadër të Programit për Zhvillim Rural / Grante në Bujqësi.