Hapet fabrika e miellit në Fush Kosovë
Prishtinë, 4 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci me rastin e inaugurimit të fabrikës së miellit në Fushë Kosovë ka thënë se një fabrikë e tillë është një nga investimet më të mira, ku ka shumë mundësi për vende të reja të punës, të cilat mund të ndikojnë drejt për drejtë në zhvillimet e këtij sektori, si dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik në vendin tonë.
Gjatë një ceremonie ku të pranishëm ishin Egemen Bagis, Ministër i Integrimeve Evropiane në Republikën e Turqisë, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve vendore dhe atyre të Republikës së Turqisë, u bë inaugurimi i fabrikës së miellit Universal Food në Fushë Kosovë.
Investimet e ngjashme si kjo e investitorëve turq hapin perspektiva të ndryshme, tha ministri Stavileci, duke aluduar në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në zgjerimin e gamës së produkteve të miellit.
Nuk është hera e parë që kemi investitorë turq në Kosovë, mirëpo një fabrikë e tillë, e cila i plotëson të gjitha standardet është një nga investimet që i gëzon edhe fermerët, ngase përveç sektorit të drithërave të cilin e mbështesim ne si Ministri e Bujqësisë, kjo fabrikë hap edhe perspektiva të tjera për prodhuesit e drithërave të kësaj ane, si dhe krijon vende të reja të punës që injektojnë drejtpërdrejtë zhvillimin e këtij sektori, tha Stavileci, duke përfunduar më tej se investimet në prodhimtari janë themelore për nxitjen e zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik.
Ndërsa, Bahader Aksoy, bashkëpronar në fabrikën Universal Food, tha se ky objekt është privatizuar para tre vitesh dhe deri më tani, numri i të punësuarve sillet rreth 260 punëtorë.
Lidhur me këtë investim, z. Aksoy, tha se është rezultat i urave lidhëse ekonomike në mes të shteteve tona. Investimi ka ardhur si rezultat i një bashkëpunimi të mirëfilltë që kemi ndërtuar me shtetin e Kosovës, i cili ka për qëllim edhe mbështetjen e krijimit të ortakërive në mes të afaristëve të dy shteteve tona.
Fabrika së miellit në Fushë Kosovë është privatizuar para tre vjetësh dhe ka 260 punëtorë si dhe është investim i investitorëve nga Turqia.