29 Mars 2023

Formohet Bordi Këshillëdhënës për Pylltari

Prishtinë, 28 prill - Task Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve ka miratuar Rregulloren e Punës, si dhe ka formuar Bordin Këshillëdhënës për Pylltari.

Aprovimi i këtij dokumenti dhe formimi i Bordit është bërë sot gjatë takimit të tretë më radhë të kësaj Task Force, në të cilin kanë marrë pjesë Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera qeveritare, që janë pjesë përbërëse e kësaj Task Force.

Me këtë rast, Ministri Peci i ka vlerësuar shumë të rëndësishme aprovimin e këtyre dokumenteve për sektorin e pylltarisë, pasi që sipas tij tashmë po përcaktohet roli i Task Forcës si një organ ndërinstitucional për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve.

 “Ministria e Bujqësisë tashmë e ka prioritizuar sektorin e pylltarisë, përmes hartimit të politikave të duhura pyjore. Në këtë drejtim kemi krijuar Task Forcën për Pyje, si dhe kemi aprovuar në Qeveri Ligjin e ri për Pyje dhe i njëjti është proceduar në Kuvend."

"Po ashtu kemi hartuar Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022 – 2030, e cila tanimë gjendet në zbatim. Hartimi dhe aprovimi i të gjitha këtyre dokumenteve përcjellëse do t’i kontribuojnë zhvillimit dhe menaxhimit të sektorit të pylltarisë”, ka thënë Ministri Peci, duke shtuar se do të vazhdojnë edhe përmes projekteve dhe hapave të tjerë për avancimin e sektorit të pyjeve në Kosovë.

Gjatë këtij takimi është bërë e ditur se në kuadër të pyllëzimeve MBPZhR-ja deri më tani ka pyllëzuar 309.30 hektarë apo 773,321 fidanë. Ndërkaq, Misioni i FAO-s në Kosovë ka pyllëzuar 50 hektarë apo 140 mijë fidanë.

Ndryshe, Bordi Pyjor Këshillëdhënës, i cili u votua sot në këtë takim,  ka për mandat ofrimin e këshillave për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet vartëse të saj.


--

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)