29 Mars 2023

Evropa dhe Azia Qendrore angazhohen të sigurojnë sisteme bujqësore të sigurta

Lodz, 16 maj - Vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore janë të bashkuara në mbrojtjen e prodhimit, furnizimeve dhe tregtisë ushqimore, edhe gjatë kohës së luftimeve.

Për disa ditë rresht mbi 50 anëtarë të FAO-s diskutuan në Sesionin e Tridhjetë e tretë të Konferencës Rajonale për Evropën në Lodz, Poloni, rrugët dhe qasjet e mundshme për realizimin e këtij qëllimi dhe për përmirësimin e të ushqyerit dhe furnizimeve me ushqim në rajon dhe në mbarë botën.  

Nevoja për një platformë neutrale për të debatuar sfidat aktuale në ushqim dhe bujqësi – ndër sektorët më të prekur nga kriza e Ukrainës – ishte e madhe, e reflektuar nga numri rekord i vendeve dhe delegatëve pjesëmarrës në konferencë.  

"Ndikimet e luftës në Ukrainë për të siguruar ushqim në mbarë botën duhet të trajtohen urgjentisht dhe të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm - siguria globale e ushqimit varet nga kjo", tha Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s QU Dongyu në fjalën e tij përmbyllëse. Ai shtoi se adresimi i kësaj sfide është i mundur vetëm përmes “veprimeve dhe politikave të përbashkëta dhe të koordinuara, duke përfshirë mbështetjen e FAO-s si dhe nëpërmjet udhëzimeve të dhëna në raportin e Konferencës Rajonale”.   

Temat kryesore të diskutuara këtë javë ishin pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë dhe luftës në Ukrainë (me vendime të miratuara në Konferencën Rajonale për këtë çështje dhe rikonfirmimin e veprimeve e mëparshme të Këshillit të FAO-s); rritja e çmimeve të ushqimit bazë, vajit bimor, plehrave dhe produkteve tjera bujqësore; tregtia agroushqimore; ndryshimet klimatike dhe ndikimet e saj; bujqësia e gjelbër; kequshqyerja dhe dietat jo të shëndetshme.  

Një numër rekord vendesh dhe zyrtarësh morën pjesë në Konferencën Rajonale në Lodz, prej të cilëve 26 ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë përgjegjës për bujqësinë dhe fushat përkatëse të pranishëm fizikisht, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, përkatësisht më shumë se 350 persona, duke përfshirë pjesëmarrjen fizike dhe online në konferencë. Zbigniew Rau, Ministër i Jashtëm i Polonisë u zgjodh kryesues i takimit.  

“Transformimi i suksesshëm i sistemeve agroushqimore efikase, gjithëpërfshirëse, elastike dhe të qëndrueshme në rajon do të kërkojë angazhimin tuaj për të marrë pronësinë, angazhimin në udhëheqjen politike dhe më e rëndësishmja, për të ndjekur paqen”, theksoi drejtori i përgjithshëm i FAO.  

Konferencat rajonale janë thelbësore për të siguruar efektivitetin e punës rajonale të FAO-s në shërbim të anëtarëve dhe në përcaktimin e fushave prioritare të punës së Organizatës për dyvjetorin e ardhshëm. Raporti i konferencës do të prezantohet në seancën e ardhshme të Këshillit të FAO-s në qershor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)