22 Dhjetor 2024

BE-ja dhe Suedia dhurojnë pajisje për mbrojtjen e pyjeve të Kosovës 

Prishtinë, 30 nëntor - Për të mbështetur luftimin e prerjeve ilegale në Kosovë, programi i pylltarisë i FAO-s, i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Suedia, i dorëzoi Agjencisë Pyjore të Kosovës pajisje të ndryshme terreni.

Gjashtë automjete pick-up me kamera dhe pajisje GPS të integruara për inspektime në pyje, pajisje GPS për mbledhjen e të dhënave në terren, kamera kurth dhe dylbi nate për zbulimin e aktiviteteve të paligjshme pyjore iu dorëzuan Agjencisë në një ceremoni të organizuar në vendgjuetinë me rëndësi të veçantë “Blinaja”.   


Në fjalimin e tij në këtë ceremoni, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e Suedisë në Prishtinë dhe FAO-n për mbështetjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës në adresimin e mangësive në kapacitetet njerëzore dhe teknike për luftimin e aktiviteteve ilegale në pyje.

“Paralelisht me avancimin e politikave dhe legjislacionit, rëndësi të veçantë ka sigurimi i mekanizmave logjistikë që ndihmojnë menaxhimin më të mirë të sektorit të pylltarisë. Pyjet mbulojnë mbi 40 për qind të territorit të Kosovës, prandaj janë pasuri kombëtare dhe duhet t’i mbrojmë, ndërsa vetë duhet të ndihemi vetëm si shfrytëzues të përkohshëm të këtyre pyjeve”, tha ministri Peci. 

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, përsëriti se mbrojtja e mjedisit, duke përfshirë menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore, duhet të jetë prioritet më i lartë i Qeverisë. 

“Suedia e ka mbështetur sektorin e pylltarisë në Kosovë për shumë vite, mirëpo nuk kemi parë aq përparim, përkundër mbështetjes përmbajtësore nga Suedia, por edhe nga zyra e BE-së në Kosovë. Miratimi i ligjit të ri për pyjet dhe të strategjisë është parakusht për zbatimin me sukses të këtij Programi dhe për të arritur përparim në këtë sektor. Ne presim rezultate në këtë fushë, që është e një rëndësie vendimtare për menaxhimin në mënyrë të qëndrueshme të burimeve pyjore dhe për mbrojtjen e biodiversitetit”, tha ambasadori Westerlund.

Zëvendësshefi i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, gjithashtu u bëri thirrje të gjithë partnerëve që të organizohen dhe të mobilizohen, për të marrë përsipër përgjegjësitë dhe për t’u angazhuar plotësisht për mbrojtjen dhe shfrytëzimin më të mirë të pyjeve në mënyrë të qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.  

“Kosovarët duhet të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë kolektive për të ardhmen e pyjeve, që të raportojnë shfrytëzimin e paligjshëm të lëndës drusore me saktësi dhe transparencë më të lartë”, tha z. Biancardi.

Programi “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të  pyjeve  për  të  përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në  Kosovë”, i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Suedia, po i ndihmon autoritetet në Kosovë që të qeverisin më mirë dhe të sigurojnë shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve. Në veçanti, programi do të adresojë mungesat në kapacitetet njerëzore dhe teknike në Agjencinë Pyjore të Kosovës për të luftuar prerjet ilegale dhe veprimtaritë e parregullta në pyje.

Udhëheqësi i ekipit vendor të FAO-s për Programin e Pylltarisë, Naser Krasniqi, theksoi se programi është në proces të identifikimit të kontigjentit të radhës të pajisjeve që do të përdoren për zbulimin dhe luftimin e prerjeve, transportit dhe tregtimit ilegal në pylltari, si dhe të zjarreve pyjore.   

“Ne jemi të bindur se këto pajisje do të përdoren me efikasitet të lartë nga APK-ja dhe do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të menaxhimit të qëndrueshëm dhe të mbrojtjes së pyjeve”, shtoi z. Krasniqi. 

Pas dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve, programi për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve do të organizojë aktivitete të ngritjes së kapaciteteve të personelit të Agjencisë Pyjore të Kosovës për përdorimin e duhur të këtyre pajisjeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)