29 Maj 2023

Zvicra heq vizat për kosovarët

Bernë, 17 maj - Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës mund të hyjnë në këtë shtet pa vizë.

Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është pjesë e Zonës Schengen.

Në prill, Bashkimi Evropian vendosi që shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet anëtare të bllokut, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Këshilli Federal tha përmes një njoftimi se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave, në kuptim të sigurisë, kontrolleve kufitare dhe të menaxhimit të migracionit.

Të gjithë shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në Zvicër vetëm me pasaportë biometrike dhe mund të qëndrojnë deri në 90 ditë. Kjo kohëzgjatje vlen edhe për qëndrimin në 27 shtetet e BE-së.

Këshilli Federal i Zvicrës bëri të ditur se nëse shtetasit e Kosovës duan të punojnë në këtë shtet, ata duhet të pajisjen me vizë pune.

Sipas njoftimit, shtetasit kosovarë mund të punojnë në Zvicër vetëm nëse janë profesionistë të kualifikuar apo nëse nuk ka punëtorë ekuivalentë në tregun zviceran të punës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)